Qëlloi me armë zjarri para banesës së ish-bashkëjetueses, arrestohet 37-vjeçari

Roskovec – Një 37-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia, pasi dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri para banesës së ish-bashkëjetueses së tij, në fshatin Luar të Roskovecit.
Në pranga ka rënë shtetasi Besmir (Erjon) Mustaj, banues në Roskovec.
Sipas njoftimit të Policisë, pas marrjes së informacionit për të shtëna me armë zjarri në fshatin Luar, shërbimet e Stacionit të Policisë Roskovec, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Fier, organizuan punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Nga veprimet hetimore dyshohet se 37-vjeçari ka qëlluar me armë zjarri, për motive të dobëta, para banesës ku jetonte ish-bashkëjetuesja e tij.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Dhuna në familje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”. Hetimet për ngjarjen vijojnë.







