AKTUALITETTOP-NEWS

BKH zbarkon në Patos, kush fshihet pas ullishtes qindra mijë euroshe?

Patos – Prej disa ditësh, përfaqësues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) janë konstatuar në qytetin e Patosit, më konkretisht në disa zona ullishtore të kësaj bashkie. Lëvizjet e tyre kanë ngjallur interes dhe kanë shtuar pikëpyetjet mbi një hetim të mundshëm që lidhet me pronësinë mbi sipërfaqe të konsiderueshme toke të mbjella me ullinj.

Sipas burimeve konfidenciale, bëhet fjalë për dyshime mbi përvetësimin e një sipërfaqeje të madhe toke, e cila ndodhet në territorin administrativ të Bashkisë Patos. Në qendër të verifikimeve dyshohet se është një person i lidhur me një funksionar të lartë publik, i cili përflitet se ka përfituar pronësinë mbi këtë sipërfaqe përmes dokumentacionit të dyshuar si të falsifikuar.

Burime nga zona flasin për përfshirjen e mundshme të një eksponenti të lartë të Partisë Socialiste, me funksion deputeti ose drejtues drejtorie. Megjithatë, deri në këtë fazë nuk ka një identifikim zyrtar të personave të përfshirë dhe as konfirmim institucional për këto pretendime.

Mësohet se verifikimet dyshohet se kanë nisur në institucionet e Kadastrës në Fier, si dhe në strukturat përkatëse që administrojnë dokumentacionin e pronave në territorin e
Bashkisë Patos. Në fokus të tyre raportohet se janë dokumentet e pronësisë dhe mënyra se si një sipërfaqe e konsiderueshme toke me ullishte ka kaluar në emër të një pronari të ri. Informacioni për këtë çështje mbetet tepër i rezervuar. Është kërkuar informacion pranë Kadastrës Fier dhe Bashkisë Patos, por deri në publikimin e këtij materiali nuk ka marrë një përgjigje zyrtare.

Ndërkohë, banorë të zonës pretendojnë se toka në fjalë ka tashmë një pronar të ri, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si është kryer kalimi i pronësisë dhe dokumentacionin që e ka shoqëruar atë.

Mbetet për t’u parë nëse lëvizjet e BKH-së në zonat ullishtore të Patosit lidhen me këto dyshime dhe nëse verifikimet do të çojnë në një hetim të mirëfilltë për dokumentet e pronësisë, rolin e institucioneve dhe personat që mund të kenë përfituar nga kjo procedurë.

Deri në një konfirmim zyrtar nga SPAK ose BKH, pretendimet mbi personat e përfshirë dhe mënyrën e përvetësimit të tokës mbeten të pakonfirmuara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button