Gjykata lë në burg ish-drejtorin e Kadastrës së Fierit, Arben Vojën dhe dy të tjerë, masa sigurie për 5 persona

Gjykata e Fierit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për katër persona, mes tyre edhe Arben Vojën, ish-drejtorin e Kadastrës së Fierit, të arrestuar në kuadër të një hetimi për disa vepra penale. Vendimi është shpallur më 11 nëntor 2026 nga gjyqtari Noel Veizi.
Përveç Vojës, në burg do të qëndrojnë edhe Dilaver Shyti, Fjorelo Bida dhe Anila Haxhiu. Ndërkohë, për Arbina Jaupin është vendosur masa “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, ndërsa për një tjetër person nën hetim është caktuar masa “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Të dyshuarit po hetohen për vepra të ndryshme penale, përfshirë mashtrimin me pasoja të rënda, falsifikimin e dokumenteve, shpërdorimin e detyrës dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.
Vendimi i gjykatës Fier
1. Caktimin ndaj personit nën hetim Dilaver Shyti të masës së sigurimit personal “arresti në burg” të parashikuar të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale si autor i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga nenet 143, paragrafi 3, 186, paragrafi 2, 25 dhe 287, paragrafi 1, të Kodit Penal.
2. Caktimin ndaj personit nën hetim Arben Voja, të masës së sigurimit personal “arresti në burg” të parashikuar të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale si autor i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer nga personi që ka për detyrë lëshimin e dokumentit, dhe “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 186, paragrafi 3, 248 dhe 25 të Kodit Penal.
3. Caktimin ndaj personit nën hetim Fjorelo Bida, të masës së sigurimit personal “arresti në burg” të parashikuar të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale si autor i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 186, paragrafi 2, 248 dhe 25 të Kodit Penal.
4. Caktimin ndaj personit nën hetim Anila Haxhiu të masës së sigurimit personal “arresti në burg” të parashikuar të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale si autore e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer nga personi që ka për detyrë lëshimin e dokumentit, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 186, paragrafi 3, dhe 25 të Kodit Penal.
5. Caktimin ndaj personit nën hetim Arbina Jaupi të masës së sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” të parashikuar të parashikuar nga neni 233 i Kodit të Procedurës Penale si autore e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245 dhe 25 të Kodit Penal. Urdhërohet sekuestrimi dhe bllokimi pasaportës të personit nën hetim A.J. Urdhërohet që personi nën hetim A.J të mos largohet nga territori iShqipërisë pa autorizim nga Gjykata. Ndalohet përdorimi i pasaportës dhe mjeteve të tjera identifikuese të vlefshme për daljen jashtë shtetit, për personin nën hetim, A.J.
6. Caktimin ndaj personit nën hetim A.J, të masës së sigurimit personal “detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore të parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale. Urdhërohet personi nën hetim A.J, të paraqitet para oficerit të policisë gjyqësore, pranë Komisariatit të Policisë Fier, të hënën e parë të muajit, ora 10:00.
7. Ngarkohet Prokuroria e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier në bashkëpunim me Policinë Gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
8. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e komunikimit të vendimit të arsyetuar të gjykatës.
U shpall në Fier, sot më datë 11.11.2026.
GJYQTAR
NOEL VEIZI











