AKTUALITETUncategorized

Kuçedrat i sulen Nikaj-Mërturit. Lëshohet thirrja: O burra, ejani ta mbrojmë!

Nga Dr. Mhill Gecaj

Në fakt, kjo përpjekje kishte dështuar edhe vite më parë në Curraj të Epër. Atëherë ishte fituar një tender që parashikonte devijimin e Lumit të Currajve në tuba për ndërtimin e tre hidrocentraleve. Edhe pse në dokumente lumi ishte emërtuar saktë, pas takimeve dhe argumenteve të banorëve, kompania fituese u tërhoq me mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë.

Sot situata paraqitet ndryshe. Në një shkresë zyrtare, Rexh Byberi e ka quajtur Lumin e Mërturit – një lumë me vlera historike e natyrore – thjesht “përrua”. Ky ndryshim emërtimi është miratuar edhe në përgjigjet e institucioneve qeveritare. Një veprim i tillë shihet si bashkëpunim i papranueshëm kundër natyrës dhe trashëgimisë sonë.

Emërtimi “përrua” duket se ishte një provë për të testuar reagimin e Nikaj-Mërturit dhe Currajve. Por sot jemi të bashkuar për ta ndalur këtë ndërhyrje që rrezikon të shkatërrojë ekosistemin dhe identitetin e kësaj zone.

Është e habitshme se si makineritë e rënda hynë në zonë pa u vënë re dhe pa u informuar si duhet banorët. Kjo është një çështje që kërkon sqarim dhe do të përballet me reagimin e komunitetit.

Historia na mëson se Nikaj-Mërturi nuk është dorëzuar kurrë përballë pushtuesve. As pushtimet osmane dhe as ato serbo-malazeze nuk e nënshtruan këtë krahinë. Kujtojmë episodin kur forcat serbo-malazeze synuan të pushtonin Currajt duke zënë Kishën, por rezistenca e burrave të Currajve, të udhëhequr nga Pader Zefi, bëri që pushtuesit të dorëzoheshin brenda pak orësh dhe të përcilleshin si robër lufte drejt kufirit me Malin e Zi.

Edhe sot, së bashku do të kundërshtojmë çdo përpjekje për të ndryshuar emrin, historinë dhe natyrën e Lumit të Mërturit. Nuk mjafton largimi i makinerive; dëmet e shkaktuara në shtratin e lumit duhet të riparohen.

Për vite me radhë nuk është investuar seriozisht në Nikaj-Mërtur. Nuk është asfaltuar asnjë metër rrugë, madje në shumë raste nuk janë kryer as mirëmbajtjet më elementare. Sot, në vend të zhvillimit të zonës, po ndërhyhet fshehurazi në lumin e saj, duke rrezikuar një pasuri të pazëvendësueshme natyrore në emër të interesave financiare.

I bëj thirrje autoriteteve ligjzbatuese që të hetojnë me seriozitet këtë ndërhyrje dhe të verifikojnë nëse janë respektuar ligji dhe procedurat për mbrojtjen e mjedisit.

Të gjithë, kudo që ndodhemi, duhet të bashkohemi për të mbrojtur Lumin e kaltër të Mërturit (të Currajve). Të mos lejojmë që kjo pasuri natyrore të shkatërrohet dhe që trofta pikaloshe të humbasë habitatin e saj. Lumi duhet të mbetet i pastër dhe i gjallë për brezat që do të vijnë.

Dr. Mhill Gecaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button