AKTUALITET

Mbyllet faqja në Instagram e Euronews Albania. Shkak, publikimi i videove nga protesta?

Faqja e Euronews Albania në Instagram nuk është më e aksesueshme, duke ngritur edhe më shumë alarmin mbi atë që po ndodh ditët e fundit me llogaritë shqiptare në rrjetet sociale.

Pa asnjë njoftim, pa asnjë masë, sot faqja e Euronews Albania u zgjua me njoftimin ‘user not found’.

Vetëm mbrëmjen e kaluar, Euronews Albania kishte të ftuar në emisionin “Review” eurodeputetin Sandro Gozi, i cili foli pikërisht për mbylljen e llogarive shqiptare në Instagram dhe kërkoi transparencë nga Meta.

Gozi ngriti pyetjen: çfarë po ndodh dhe përse po mbyllen këto llogari?

Eurodeputeti kërkoi që Meta të japë një përgjigje të qartë nëse kemi të bëjmë me probleme teknike, shkelje të rregullave të platformës apo abuzim të koordinuar me sistemin e raportimeve.

Më pak se 24 orë pas kësaj interviste, vetë Euronews Albania nuk e ka më të aksesueshme faqen e saj në Instagram.

Ky fakt nuk provon një lidhje mes intervistës dhe mbylljes së faqes dhe, pa një shpjegim nga Meta, çdo përfundim i tillë do të ishte spekulim. Por rasti e bën edhe më aktuale pikërisht pyetjen e ngritur një natë më parë në studion e Euronews Albania.

Gjatë ditëve të fundit janë raportuar dhjetëra raste të llogarive shqiptare të mbyllura, në Instagram. Meta ka pranuar se disa prej llogarive janë hequr gabimisht, ka nisur rishikimin e masave dhe disa profile janë rikthyer. Megjithatë, kompania nuk ka dhënë ende një shpjegim të plotë mbi atë që ka shkaktuar këtë seri problemesh.

Çështja tashmë shkon përtej një profili të vetëm.

Kur një platformë globale mund të ndërpresë papritur aksesin e një individi, organizate apo edhe të një mediaje me logo ndërkombëtare te audienca e saj, pa një shpjegim të menjëhershëm dhe të kuptueshëm, problemi kryesor është transparenca.

Meta duhet të sqarojë çfarë po ndodh me llogaritë shqiptare, si funksionon sistemi që çon në mbylljen e tyre, nëse po abuzohet me mekanizmin e raportimeve dhe çfarë garancish ekzistojnë që një llogari të mos zhduket gabimisht.

Sepse sot pyetja që Sandro Gozi ngriti mbrëmë në Euronews Albania i drejtohet edhe vetë rastit të Euronews Albania:

Çfarë po ndodh me Instagramin dhe pse po mbyllen këto llogari?/Euronews Albania

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button