AKTUALITETTOP-NEWS

Zjarri “përpiu” nga Radostina në Frakull. Qindra hektarë tokë të djegur, ullinj në prodhim, shkurre dhe një punishte druri bëhen hi

Fier – Zjarri që përfshiu kodrat e Radostinës në Fier ka marrë përmasa të mëdha, duke lënë pas qindra hektarë sipërfaqe të djegur, kryesisht shkurre dhe ullishte.

Flakët kanë përfshirë zonat e Radostinës, kodrat e Levanit dhe Peshanit të Vogël, ndërsa më pas janë shtrirë edhe drejt Frakullës.

Fatmirësisht, falë ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse, Policisë dhe Forcave të Armatosura, nuk raportohet për persona të lënduar apo banesa të djegura. Dëme janë shkaktuar në sipërfaqe të konsiderueshme toke, ndërsa një punishte druri është përfshirë nga flakët.

Banorët që kanë humbur ullishtet e tyre thonë se pemët ishin në prodhim dhe se dëmi ekonomik është i konsiderueshëm. Ata shprehen pesimistë për mundësinë e dëmshpërblimit nga shteti.

Ndërkohë, situata më problematike raportohet të ketë qenë në Frakullën e Madhe, ku janë përqendruar forca të shumta zjarrfikëse dhe trupa të Ministrisë së Mbrojtjes.

Sipas burimeve zyrtare, në orët e para të mëngjesit ka ndërhyrë edhe një avion zjarrfikës, i cili ka nisur operacionin rreth orës 06:30, duke ndihmuar në neutralizimin e vatrës kryesore.

Aktualisht nuk raportohet për vatra aktive problematike. Në disa zona të djegura vijojnë të shfaqen herë pas here vatra të vogla, të cilat po monitorohen nga shërbimet në terren.

Forcat zjarrfikëse dhe ato të emergjencave vijojnë të jenë në gatishmëri për të shmangur riaktivizimin e flakëve dhe për të garantuar sigurinë e banorëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button