OP/ AN

Fieri ka shumë deputetë, por sa zë ka qarku në qeverisje?

Nga Ervin Resuli

Zjarret që kanë përfshirë ditët e fundit Qarkun e Fierit, nga Mallakastra deri në Myzeqe, kanë nxjerrë në pah një problem që është shumë më i madh se menaxhimi i një emergjence. Kanë treguar sa e dobët është aftësia e përfaqësimit politik të një prej qarqeve më të rëndësishme të vendit.

Fieri është një nga qarqet me numrin më të madh të deputetëve pas Tiranës: 16 mandate, prej të cilëve 12 i përkasin mazhorancës. Por në një situatë kritike, pyetja është e thjeshtë: sa prej tyre kanë peshë reale për të ndikuar në politikat dhe vendimmarrjen e qeverisë për qarkun që përfaqësojnë?

Një studim i publikuar nga Social Beast Albania, që analizon aktivitetin dixhital të deputetëve dhe raportin e tyre me kryetarin e partisë, sjell një të dhënë që duhet të na bëjë të mendojmë. Në dhjetëshen e parë të deputetëve socialistë për nga ripostimet e Edi Ramës, katër janë nga Fieri. Dhe kur analiza zgjerohet në 20 emrat e parë, prania e përfaqësuesve nga Fieri bëhet edhe më domethënëse.

Kjo nuk provon vetvetiu se ekziston një urdhër politik apo koordinim. Por ngre një pyetje shumë më të rëndësishme: ku përfundon përfaqësimi i qytetarit dhe ku fillon përfaqësimi i kryetarit?

Sepse deputeti duhet të jetë zëri i zgjedhësve përballë pushtetit, jo zëri i pushtetit përballë zgjedhësve.

Nëse karriera politike, promovimi dhe pozicionimi varen kryesisht nga besnikëria ndaj kryetarit, krijohet një deformim i demokracisë përfaqësuese: deputeti fillon t’i ketë më shumë borxh politik atij që e vendos dhe e promovon sesa qytetarëve që e votojnë.

Dhe kjo bëhet veçanërisht e rrezikshme në një qark si Fieri.

Sepse Fieri nuk ka mungesë problemesh. Ka bujqësi, blegtori, naftë, industri, problematika mjedisore, përmbytje, zjarre, infrastrukturë, emigracion, mungesë fuqie punëtore dhe një ekonomi rurale që kërkon politika të veçanta. Në situata normale kërkohet lobim politik; në situata emergjente kërkohet zë i fortë dhe reagim i menjëhershëm.

Por çfarë vlere ka të kesh 16 deputetë, nëse në momentin që qarku digjet, përfaqësimi politik nuk arrin të kthehet në vendimmarrje, fonde, mjete, politika dhe përgjegjësi?

Problemi i Fierit nuk është mungesa e deputetëve. Është mungesa e fuqisë së tyre reale për të përfaqësuar Fierin.

Një deputet i mirë nuk matet me numrin e fotove, postimeve apo ripostimeve të kryetarit. Matet me ligjet që propozon, fondet që sjell, problemet që ngre, politikat që ndryshon dhe, mbi të gjitha, me aftësinë për t’i thënë edhe “jo” pushtetit kur interesi i qytetarëve e kërkon.

Fieri meriton deputetë që të jenë avokatë të Fierit në Tiranë, jo ambasadorë të Tiranës në Fier.

Sepse kur qarku përballet me një krizë, qytetari nuk pyet sa herë deputeti ka ripostuar kryetarin.

Pyet: “Çfarë bëri deputeti për mua?”

Dhe pikërisht këtu fillon analiza e vërtetë e përfaqësimit politik të Fierit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button