
FIER – Ka nisur fushata e vaksinimit kundër gripit sezonal në të gjitha qendrat shëndetësore të Fierit, Patosit dhe Roskovecit. Qëllimi është rritja e mbrojtjes së popullatës përballë virozave të stinës dhe parandalimi i komplikacioneve që mund të shkaktojë gripi, veçanërisht te personat më të rrezikuar.
Rreth 25 mijë doza të vaksinës trivalente janë shpërndarë në qendrat shëndetësore që mbulohen nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Fier, me synimin për të siguruar mbrojtjen e kategorive më të rrezikuara nga pasojat e gripit sezonal.
Shefja e epidemiologjisë, Anila Moçi, thekson se vaksinimi është veçanërisht i rëndësishëm për të moshuarit, personat që vuajnë nga sëmundje kronike dhe ata që kanë imunitet të dobësuar apo probleme të tjera shëndetësore që mund të rëndojnë gjendjen e tyre në rast infektimi.
Sipas saj, vaksinimi rekomandohet gjithashtu për fëmijët nga mosha 6 muaj deri në 12 vjeç, mësuesit, efektivët e policisë, personat mbi 60 vjeç dhe gratë shtatzëna. Një fokus i veçantë këtë vit do të jetë edhe te personat që vuajnë nga diabeti, të cilët për shkak të gjendjes shëndetësore mund të jenë më të rrezikuar nga komplikacionet e gripit.
Gripi sezonal, rrezik për personat me sëmundje kronike
Çdo sezon dimëror, gripi përbën një sfidë për shëndetin publik, pasi përveç rasteve të shumta të infeksioneve, mund të shkaktojë edhe komplikacione të rënda dhe humbje jete, kryesisht te personat e moshuar dhe ata që vuajnë nga sëmundje kronike.
Qarku i Fierit renditet ndër zonat me numër të lartë vaksinimesh, një faktor që, sipas të dhënave të bëra publike nga shërbimet shëndetësore, ka ndikuar në kufizimin e rasteve fatale nga komplikacionet e gripit. Sipas informacionit të përcjellë, gjatë viteve të fundit numri i viktimave është kufizuar në një ose dy raste në vit, kryesisht te të moshuarit me probleme shëndetësore bashkëshoqëruese.
Specialistët e shëndetit publik u bëjnë thirrje qytetarëve, veçanërisht personave që bëjnë pjesë në grupet e riskut, të vaksinohen në kohë për të ulur mundësinë e komplikacioneve dhe për të përballuar më mirë sezonin e gripit.








