Humbi jetën në fushën e futbollit, tragjedia e të riut shqiptar sjell masa drastike në Greqi

Vdekja tragjike e 16-vjeçarit shqiptar Asllan Gjana në një fushë futbolli në Thasos ka sjellë masa të menjëhershme në Greqi. Bashkia e Kavalës ka vendosur mbylljen pa afat të fushave të futbollit nën administrimin e saj, deri në përfundimin e kontrolleve të sigurisë. I riu, i njohur si “Ani”, humbi jetën gjatë një ndeshjeje futbolli. Teksa ndiqte topin jashtë vijave të fushës, ai u përplas me pjesën e pasme të kokës në një mur pranë tribunave. Goditja rezultoi fatale.
Pas ngjarjes, autoritetet pezulluan lejet për ndeshje dhe stërvitje, përfshirë aktivitetet sportive të fëmijëve. Inspektimet do të përqendrohen te përmasat e fushave dhe distancat mes vijave të lojës dhe mureve apo pengesave të tjera të rrezikshme. Fushat do të rihapen vetëm pas përfundimit të verifikimeve dhe ndërhyrjeve të nevojshme.







