Digjet një makinë te Kryeministria, trazira si në 2011

Situata në Bulevardin ”Dëshmorët e Kombit” është tensionuar ndjeshëm gjatë protestës studentore këtë të shtunë para Kryeministrisë. Nga turma janë hedhur shishe me lëndë djegëse drejt një autoboti uji, duke shkaktuar flakë në mjet, të cilat u shuan menjëherë nga ndërhyrja e një autoboti tjetër.
Një makinë e llojit ”Volvo” me ngjyrë të kaltër e braktisur në Bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, është marrë nga protestuesit dhe më pas i është vënë flaka, duke shtuar tensionet në zonë. Kjo skenë kthen skenën e 11 Janar 2011. Përdorimi i molotovëve ndaj mjeteve të blinduara dhe kundërpërgjigja e policisë me ujë me presion e gaz lotsjellës e kanë kthyer zonën përreth Kryeministrisë në një fushë të vërtetë përplasjeje, ndërsa situata mbetet mjaft e nxehtë dhe e paparashikueshme.
Ngjarja ngre pikëpyetje, pasi i gjithë perimetri i Bulevardit dhe rrugëve dytësore përreth Kryeministrisë është tërësisht i rrethuar dhe i blinduar nga kordonët e forcave të rendit e autobotët e ujit. Mbetet ende e paqartë se si ky automjet ka arritur të depërtojë në mes të zonës me rrezikshmëri të lartë e të bllokuar për qarkullimin e mjeteve.










