AKTUALITET
Zjarri në Patos, digjen dhjetëra rrënjë ullinj dhe një stallë pulash

Patos – Një zjarr ka rënë pak minuta më parë në lagjen Dukas, pranë rrugës që të çon drejt Kuqarit, në bashkinë Patos.
Sipas banorëve të zonës, zjarri ka përfshirë një sipërfaqe toke, duke djegur dhjetëra rrënjë ullinj, si dhe një stallë pulash. Për momentin, nuk dihet vlera e dëmeve të shkaktuara.
Pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje ka mbërritur një automjet zjarrfikës për shuarjen e flakëve. Ndërhyrja është vështirësuar edhe nga era që fryn në zonë.
Ende nuk ka informacion nëse grupi hetimor i policisë ka mbërritur në vendngjarje për të përcaktuar shkaqet e zjarrit dhe për të dokumentuar dëmet.







