Përplaset me barrierat dhe bie në kanal, plagoset një çift në rrethrrotullimin e Kolonjës

Lushnje – Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar rreth orës 01:00 të mëngjesit të së enjtes, në rrethrrotullimin e Kolonjës, në autostradën Fier–Lushnjë. Një automjet fuoristradë ka dalë nga rruga, pasi ka përplasur barrierat metalike dhe i ka kapërcyer ato, duke përfunduar në kanalin poshtë urës, rreth 5 metra në thellësi.
Për nxjerrjen e personave nga automjeti është dashur ndërhyrja e menjëhershme e shërbimit zjarrfikës të Lushnjës, në bashkëpunim me ekipin mjekësor të ambulancës. Në automjet udhëtonte një çift bashkëshortësh, të cilët janë nxjerrë nga makina dhe janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Lushnjës, me lëndime të shumta.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se shpejtësia e lartë dhe lagështia në rrugë, si pasojë e reshjeve intensive të shiut, kanë bërë që drejtuesi i automjetit të humbasë kontrollin në hyrje të rrethrrotullimit, duke përfunduar jashtë rrugës.
Pritet që ekspertiza e policisë të përcaktojë shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit. Fatmirësisht, nga kjo ngjarje nuk raportohet për viktima.
Rrethrrotullimi i Kolonjës konsiderohet një nga pikat problematike të qarkullimit rrugor, ku edhe në të kaluarën janë regjistruar aksidente me pasoja fatale.








