Jackie Coogan, fëmija gjeni i Charlie Chaplini

Jackie Coogan, fëmija gjeni i Charlie Chaplinit, ylli që u grabit nga njerëzit e tij më të afërt
E kujt nuk i ka mbetur në kujtesë ai fëmijë me sytë e mëdhenj, vështrimin e pafajshëm dhe fytyrën që mbartte njëherazi trishtimin e braktisjes dhe dritën e shpresës, teksa ndante ekranin me gjigantin e kinemasë pa zë, Charlie Chaplin? Ishte Jackie Coogan, vogëlushi që, me një talent të jashtëzakonshëm, u bë një nga figurat më të dashura të kinemasë së hershme, duke fituar zemrat e miliona shikuesve në mbarë botën. Por pas shkëlqimit të këtij ylli të vogël fshihej një histori e dhimbshme, ajo e një fëmije që fitoi miliona me talentin e tij, por që, kur u rrit dhe kërkoi të gëzonte frytet e punës së vet, zbuloi se pasuria i ishte përvetësuar nga njerëzit që duhej ta kishin mbrojtur më shumë se kushdo tjetër, nëna dhe njerku.
Jackie Coogan nuk ishte thjesht një fëmijë i talentuar që pati fatin të shfaqej përkrah Charlie Chaplinit. Ai ishte një nga ata fëmijë të rrallë që zotërojnë një dhunti të lindur për skenën, një aftësi të veçantë për të komunikuar me publikun përtej fjalëve, përmes mimikës, lëvizjeve dhe një ndjeshmërie që kamera arrinte ta kapte me magji. Në një kohë kur kinemaja pa zë mbështetej te fuqia shprehëse e trupit dhe e fytyrës, Coogan zotëronte një gjuhë të vetën, të drejtpërdrejtë dhe universale. Ai mund të bënte të qeshje e të përloteshe, të ngjallte dhembshuri e të zgjonte shpresë, duke dëshmuar se arti nuk njeh moshë dhe se, nganjëherë, një fëmijë mund të mbartë mbi supe një botë të tërë emocionesh.
Historia e tij artistike mori një kthesë vendimtare kur Charlie Chaplin e vuri re në Teatrin Orpheum, një skenë vaudeville në Los Anxhelos. Jackie, ende fëmijë, po interpretonte një kërcim të njohur të kohës, shimmy, dhe e mahniti aktorin e madh me natyrshmërinë, ritmin dhe aftësinë e tij të lindur për të imituar. Chaplini, i cili kishte një ndjeshmëri të rrallë për të zbuluar talentin, pa tek ai diçka më shumë se një vogëlush zbavitës. Pa një potencial artistik që mund të shndërrohej në një prani të paharrueshme në ekran.
Jackie vinte nga një familje e lidhur me skenën. I ati ishte aktor, ndërsa edhe vëllai i tij më i vogël, Robert, do të kishte një përvojë në botën e aktrimit. Por ishte Jackie ai që do të fitonte një vend të veçantë në historinë e kinemasë, duke u bërë një nga yjet më të famshëm fëmijë të epokës së filmit pa zë.
Chaplin e angazhoi fillimisht në një rol të vogël në komedinë A Day’s Pleasure (1919). Ishte vetëm një hap paraprak, por mjaftueshëm për të dëshmuar se takimi mes dy talenteve nuk kishte qenë rastësi. Një vit më pas, regjisori dhe aktori i madh i besoi Cooganit një rol që do ta kthente në një ikonë të kinemasë botërore.
Në filmin The Kid (1921), Chaplini i dha jetë personazhit të endacakut të dashur, i cili gjen një fëmijë të braktisur dhe, mes vështirësive, varfërisë e përndjekjeve të shoqërisë, ndërton me të një marrëdhënie të thellë dashurie. Jackie Coogan interpretoi këtë fëmijë me një vërtetësi emocionale që kapërceu kufijtë e një roli të zakonshëm. Në të, publiku nuk shihte vetëm një aktor të vogël, por një fëmijë që mishëronte brishtësinë njerëzore, nevojën për dashuri dhe të drejtën për të pasur një shtëpi ku të mos ndihej i braktisur.
The Kid ishte shumë më tepër se një komedi e suksesshme. Ishte një vepër që ndërthurte të qeshurën me lotin, groteskun me dhembshurinë, satirën shoqërore me një humanizëm të thellë. Përmes bashkëpunimit mes Chaplinit dhe Cooganit, filmi dëshmoi se kinemaja mund të bëhej një art i madh i emocioneve njerëzore. Chaplini sillte përvojën, mjeshtërinë dhe filozofinë e tij të jetës; Coogani sillte spontanitetin, pafajësinë dhe një ndjeshmëri që nuk dukej e mësuar, por e lindur.
Suksesi i filmit e shndërroi Jackie Cooganin në një yll ndërkombëtar. Në vitin 1922, ai mori edhe rolin kryesor në Oliver Twist, në përshtatjen kinematografike me regji të Frank Lloyd, duke dëshmuar se suksesi i tij nuk ishte thjesht një shkëndijë e rastësishme.
Jackie Coogan ishte ndër yjet e parë fëmijë që u shndërruan në një fenomen të mirëfilltë tregtar. Në një kohë kur industria e filmit po mësonte të shfrytëzonte fuqinë e famës dhe të krijonte marrëdhënie të reja mes ekranit dhe konsumit, imazhi i tij u shfaq në një shumëllojshmëri produktesh. Gjalpi i kikirikut, artikujt e shkrimit, bilbilat, kukullat, pllakat dhe figurinat mbanin emrin ose portretin e tij. Jackie nuk ishte më vetëm një aktor i dashur; ai ishte kthyer në një markë, në një emër që shiste dhe në një fytyrë që publiku dëshironte ta kishte pranë edhe jashtë sallave të kinemasë.


Kjo ishte një shenjë e hershme e fuqisë së marketingut të yjeve, shumë përpara se industria moderne e argëtimit të ndërtonte perandoritë e saj të licencimit dhe të tregtimit të imazhit. Jackie Coogan ishte një nga pararendësit e këtij fenomeni: një fëmijë që, pa e kuptuar ende botën e kontratave, të drejtave dhe interesave ekonomike, u bë qendra e një mekanizmi që prodhonte fitime të mëdha.
Ndërkohë, jeta e tij vazhdonte të ndiqte rrjedhën e një fëmijërie që, në shumë aspekte, nuk i përkiste më atij. Deri rreth moshës dhjetëvjeçare, ai ishte nën kujdesin e të rriturve që administronin karrierën e tij, ndërsa arsimimin e vazhdoi në institucione përgatitore, përfshirë Akademinë Ushtarake Urbane. Pas shkëlqimit të kamerave, jetonte një fëmijë që duhej të rritej, të mësonte dhe të formonte personalitetin e vet, por që tashmë ishte bërë pjesë e një bote ku fama dhe paratë kishin marrë përmasa shumë më të mëdha se mosha e tij.
Sipas vlerësimeve të kohës, Coogan kishte fituar nga tre deri në katër milionë dollarë si aktor fëmijë, një pasuri e jashtëzakonshme për vitet njëzet dhe tridhjetë të shekullit të kaluar. Për një fëmijë që nuk kishte mbushur ende moshën madhore, kjo shumë përfaqësonte jo vetëm suksesin e një karriere të jashtëzakonshme, por edhe përgjegjësinë e të rriturve për ta ruajtur atë pasuri deri në ditën kur ai do të mund ta administronte vetë.
Por këtu fillon pjesa më e errët e historisë së tij.
Në tetor të vitit 1935, kur Jackie Coogan mbushi 21 vjeç dhe fitoi statusin e një të rrituri sipas ligjit të kohës, ai kishte arsye të besonte se vitet e punës, sakrificat dhe suksesi i tij kishin krijuar një bazë të sigurt financiare për të ardhmen. Pasuria e tij ishte administruar nga i ati, i cili kishte vdekur pesë muaj më parë në një aksident automobilistik. Vdekja e tij jo vetëm që e kishte privuar Jackie-n nga një figurë e rëndësishme familjare, por kishte lënë pas edhe një situatë të paqartë rreth administrimit të të ardhurave të fituara gjatë fëmijërisë.
Kur Coogan kërkoi të merrte në zotërim pasurinë që kishte krijuar me punën e vet, u përball me një të vërtetë tronditëse: pjesa dërrmuese e të ardhurave të tij ishte shpenzuar.
Në vend të kursimeve që do të duhej ta prisnin pas arritjes së moshës madhore, ai gjeti një pasuri të rrënuar nga shpenzimet e familjes. Nëna e tij, Lillian Coogan, dhe njerku, Arthur Bernstein, akuzoheshin se kishin përdorur paratë për një jetë luksoze, me pallto leshi, diamante, bizhuteri dhe automobila të shtrenjtë. Bernstein kishte vepruar si këshilltar financiar i familjes dhe u martua me nënën e Jackie-t në fund të vitit 1936, pasi pasuria e aktorit të ri ishte bërë tashmë objekt mosmarrëveshjesh.
Kontrasti ishte i dhimbshëm: fëmija që kishte punuar për vite me radhë, që kishte argëtuar miliona njerëz dhe kishte ndihmuar në krijimin e një prej filmave më të dashur të historisë së kinemasë, tani duhej të kërkonte llogari për frytet e punës së vet. Dhe njerëzit që duhej t’i kishin ruajtur ato para, në vend që të pranonin përgjegjësinë, pretendonin se ai nuk kishte asnjë arsye të ankohej.
Sipas deklarimeve të raportuara gjatë konfliktit, nëna e tij argumentonte se Jackie kishte shijuar jetën dhe se, në fëmijëri, nuk e kuptonte vlerën e parave që fitonte para kamerave. Ajo këmbëngulte se nuk i ishte premtuar kurrë se do t’i jepej ndonjë shumë e caktuar. Në një nga qëndrimet më të ashpra të saj, ajo e përshkroi të birin si një djalë të keq.

Në këtë pikë, historia e Cooganit merr përmasat e një tragjedie morale. Një fëmijë nuk mund të negociojë vetë kontratat, nuk mund të mbikëqyrë llogaritë dhe nuk mund të marrë vendime të pavarura financiare. Ai i beson familjes jo vetëm sigurinë e tij, por edhe të ardhmen që po ndërton. Pikërisht kjo varësi e bën atë të pambrojtur. Jackie kishte qenë i aftë të fitonte miliona, por nuk kishte pasur pushtetin të vendoste se çfarë do të bëhej me to.
Paratë që ai kishte fituar me talentin e vet ishin kthyer në një burim konflikti, ndërsa besimi te familja ishte plagosur në një mënyrë që as fama dhe as suksesi nuk mund ta shëronin lehtë.
Në vitin 1938, Jackie Coogan vendosi të kërkonte drejtësi në gjykatë. Nuk ishte thjesht një përplasje mes një djali të rritur dhe nënës së tij. Ishte një betejë për parimin se puna e një fëmije nuk mund të trajtohet si një burim të ardhurash që të rriturit mund ta shpenzojnë pa përgjegjësi.
Rezultati i procesit ishte zhgënjyes. Nga pasuria që kishte fituar, Coogan arriti të rikuperonte vetëm rreth 126 mijë dollarë, pas shpenzimeve ligjore, nga rreth 250 mijë dollarët që konsideroheshin të mbetur. Shuma ishte e papërfillshme në krahasim me miliona dollarët që ai kishte fituar gjatë fëmijërisë. Pasuria e tij ishte tkurrur, ndërsa kostoja emocionale e konfliktit familjar nuk mund të përllogaritej në asnjë bilanc financiar.
Megjithatë, kjo humbje personale do të shndërrohej në një fitore me rëndësi për brezat që do të vinin.
Rasti i Jackie Cooganit tërhoqi vëmendjen e publikut dhe të ligjvënësve te cenueshmëria e aktorëve fëmijë, të cilët mund të fitonin shuma të mëdha parash, por nuk kishin garanci të mjaftueshme se ato do të ruheshin deri në moshën madhore. Ai nxori në pah një paradoks të industrisë së argëtimit: fëmijët mund të ishin burimi i fitimeve të jashtëzakonshme, por ligji nuk u siguronte gjithmonë mbrojtjen e nevojshme mbi pasurinë që krijonin.
Në vitin 1939, Kalifornia miratoi një ligj që do të lidhej përjetësisht me emrin e tij: Ligji Coogan, i njohur edhe si Coogan Act. Në formën e tij fillestare, ligji parashikonte që 15 për qind e të ardhurave të një aktori fëmijë të depozitoheshin në një fond të posaçëm besimi, një llogari që do të shërbente për të mbrojtur një pjesë të fitimeve të tij. Ai përfshinte gjithashtu kërkesa që lidhen me shkollimin, oraret e punës dhe pushimin e fëmijëve që angazhoheshin në industrinë e argëtimit.
Me kalimin e kohës, kuadri ligjor i njohur si Ligji Coogan është ndryshuar dhe zgjeruar, por emri i aktorit mbetet një kujtesë e rëndësishme për nevojën e mbrojtjes së të miturve në një industri ku suksesi mund të prodhojë para, famë dhe presion shumë përtej kapaciteteve të një fëmije për t’i kuptuar e për t’i përballuar.
Kështu, Jackie Coogan, pa e synuar dhe pa e ditur, u bë simbol i një beteje që kapërcente interesat e tij personale. Humbja e tij shërbeu si një paralajmërim për shoqërinë dhe si një shtysë për të vendosur kufij ligjorë mes pushtetit ekonomik të të rriturve dhe të drejtave të fëmijëve.
Pas humbjes së pasurisë dhe përfundimit të betejës gjyqësore, Jackie Coogan u përball me vështirësi financiare. Fama që dikur e kishte ngritur në majat e kinemasë nuk mund t’i garantonte më një jetë të sigurt. Ai kishte qenë një nga fëmijët më të paguar të kohës, por tani duhej të rindërtonte karrierën dhe jetën nga një pozitë shumë më e vështirë.
Në këtë periudhë, ai iu drejtua Charlie Chaplinit, njeriut që kishte zbuluar talentin e tij dhe që i kishte dhënë mundësinë të bëhej pjesë e historisë së filmit. Chaplini, sipas rrëfimeve për këtë episod, nuk hezitoi t’i jepte një mijë dollarë për ta ndihmuar.
Shuma ishte e vogël në krahasim me milionat që Jackie kishte fituar dikur, por rëndësia e gjestit nuk qëndronte te madhësia e saj. Qëndronte te kujtesa dhe solidariteti. Chaplini nuk e kishte harruar fëmijën me të cilin kishte ndarë ekranin në The Kid, atë vogëlush që kishte ndihmuar për ta shndërruar filmin në një vepër të paharrueshme. Në një kohë kur pasuria e Jackie-t ishte zhdukur dhe marrëdhëniet familjare ishin shndërruar në një betejë ligjore, kjo ndihmë ishte një shenjë se jo të gjithë njerëzit që kishin hyrë në jetën e tij e kishin parë si një mundësi për përfitim.
Ishte, në njëfarë mënyre, një rikthim te fillimi: te marrëdhënia mes një mjeshtri të madh dhe një fëmije që kishte ditur të fitonte dashurinë e tij me talentin e vet. Chaplini i kishte dhënë Jackie-t një shans në ekran; tani, në një çast vështirësie, i ofronte një dorë ndihme jashtë tij.
Megjithëse historia e tij financiare ishte shënuar nga një padrejtësi e rëndë, Jackie Coogan nuk u largua përfundimisht nga aktrimi. Ai vazhdoi të punonte gjatë gjithë jetës, duke u përpjekur të rindërtonte karrierën e vet dhe të gjente një vend të ri në një industri që ndryshonte vazhdimisht.
Kalimi nga ylli fëmijë në aktor të rritur nuk ishte i lehtë. Kinemaja kishte ndryshuar, publiku kishte ndryshuar dhe fytyra e vogëlushit që dikur kishte prekur zemrat e miliona njerëzve tashmë i përkiste së kaluarës. Por Coogan kishte një cilësi që e ndihmoi të mos mbetej rob i kujtimit të fëmijërisë: aftësinë për t’u përshtatur dhe për të gjetur një identitet të ri artistik.
Për brezat e mëvonshëm të shikuesve, ai do të bëhej veçanërisht i njohur përmes personazhit të xhaxha Festerit në serialin televiziv The Addams Family, të viteve gjashtëdhjetë. Në këtë rol, me pamjen e tij karakteristike, humorin e pazakontë dhe praninë e veçantë skenike, Coogan fitoi një tjetër audiencë dhe dëshmoi se talenti i tij nuk i përkiste vetëm një moshe apo një epoke të caktuar.
Nga fëmija i braktisur i The Kid te xhaxha Festeri, personazhi i çuditshëm dhe i dashur i familjes Addams, karriera e tij përshkoi pothuajse të gjithë historinë e kinemasë dhe televizionit amerikan të shekullit XX. Ai përjetoi kalimin nga filmi pa zë te filmi me zë, nga epoka e yjeve të mëdhenj të kinemasë te triumfi i televizionit, duke mbetur një aktor që publiku mund ta njihte në forma të ndryshme.
Por, përtej roleve dhe duartrokitjeve, historia e tij mbetet e lidhur me një plagë që fama nuk e shëroi dot plotësisht: humbjen e fryteve të punës së vet në një moshë kur duhej të fillonte të ndërtonte jetën si i rritur.
Historia e Jackie Cooganit nuk është vetëm rrëfimi i një ylli fëmijë që u bë i famshëm falë Charlie Chaplinit, as vetëm kronika e një pasurie të humbur. Ajo është një histori për marrëdhënien mes talentit dhe pushtetit, mes punës dhe pronësisë, mes besimit familjar dhe përgjegjësisë morale.
Jackie ishte fëmijë kur fitoi miliona, por nuk ishte fëmijë kur duhej të mbante mbi supe pasojat e humbjes së tyre. Ai u bë i rritur duke zbuluar se suksesi i tij nuk ishte shndërruar në siguri, se puna e bërë në fëmijëri nuk i kishte garantuar një të ardhme të mbrojtur dhe se njerëzit të cilëve u kishte besuar gjithçka nuk kishin vepruar domosdoshmërisht në interesin e tij.
Kjo është arsyeja pse emri i tij mbetet i rëndësishëm përtej historisë së filmit. Ai na kujton se fëmijët nuk janë pronë e prindërve, se talenti i tyre nuk u jep të rriturve të drejtën për t’i shfrytëzuar dhe se përgjegjësia e familjes nuk përfundon te kujdesi fizik, por shtrihet edhe te mbrojtja e dinjitetit, e të drejtave dhe e së ardhmes së tyre.

Në ekran, Jackie Coogan mishëroi fëmijën që kërkon dashuri, mbrojtje dhe një vend ku të mos ndihet i huaj. Në jetën e tij, ai u përball me një ironi të hidhur: ndërsa miliona shikues preken nga fati i fëmijës që Chaplini përqafon te The Kid, aktori që e interpretoi atë personazh u detyrua të luftonte në jetën reale për të mbrojtur atë që kishte fituar me duart e veta.
Ndoshta kjo është arsyeja pse historia e tij vazhdon të na prekë. Sepse pas figurës së yllit që shkëlqen në ekran qëndron një fëmijë që ka nevojë për mbrojtje edhe kur bota e duartroket. Dhe sepse ndonjëherë padrejtësia më e madhe nuk vjen nga të huajt, por nga ata të cilëve u kemi besuar pa rezerva.
Jackie Coogan fitoi dashurinë e publikut, la gjurmë në historinë e kinemasë dhe, pa e zgjedhur vetë, ndihmoi në ndryshimin e ligjit. Ai humbi pjesën më të madhe të pasurisë së tij, por historia e tij nuk u shua bashkë me milionat. Ajo mbetet një dëshmi e hidhur se talenti mund të krijojë pasuri, fama mund të ndërtojë legjenda, por vetëm drejtësia dhe përgjegjësia mund të mbrojnë atë që një fëmijë ka të drejtë ta quajë të vetën.
Përgatiti: Albert Vataj












