KULTURË

Prespa, kandidate për UNESCO-n, BE-ja mbështet studimin me 2 milionë euro

Rajoni i Prespës synon të përfshihet në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s përmes një kandidature të përbashkët të Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Për këtë qëllim, tre vendet kanë nisur një proces bashkëpunimi, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja bëri të ditur një ditë më parë se ndodhej në bashkinë e Prespës së bashku me ministren e Kulturës të Greqisë, Lina Mendoni dhe ministrin e Kulturës dhe Turizmit të Maqedonisë së Veriut, Sedat Sulejman për të nisur këtë proces të përbashkët. 

“Prespa na bashkon përmes natyrës, historisë dhe kulturës së saj. Duam ta mbrojmë këtë pasuri dhe të krijojmë më shumë mundësi për komunitetet që jetojnë këtu dhe më shumë turizëm të qëndrueshëm. Bashkimi Europian do të vërë në dispozicion 2 milionë euro për hartimin e studimit të fizibilitetit për këtë kandidaturë trishtetërore.

Në pjesën shqiptare, restaurimi i pikturave murale në Kishën e Shën Marisë në Maligrad, ndriçimi i kishës dhe i shtegut, si edhe Shtëpia Muze e Sterjo Spasses në Gollomboç, kanë pasuruar ofertën kulturore dhe turistike të zonës”, shprehet Gonxhja në rrjete sociale.

Gonxhja thotë se projekti ACT4PRESPA, i financuar nga Bashkimi Evropian, bashkon institucione nga Shqipëria, Greqia dhe Maqedonia e Veriut për konservimin, digjitalizimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore të Prespës së Madhe dhe të Vogël.

Ai shton se synohet gjithashtu zhvillimi i itinerareve të përbashkëta turistike, organizimi i misioneve kërkimore dhe ekspeditave për njohjen e promovimin e Prespës dhe Ohrit, si dhe forcimi i shkëmbimeve artistike, sportive dhe rinore mes tre vendeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button