Mesazhi/ Ambasadori amerikan: SPAK do marrë provat për të korruptuarit direkt nga serverat amerikanë

Një mesazh i rëndësishëm ka ardhur nga ambasadori amerikan Wendt gjatë një takimi me prokurorët dhe hetuesit e SPAK-ut.
Shtetet e Bashkuara po i ofrojnë Prokurorisë së Posaçme asistencën e nevojshme për të siguruar prova që ndodhen në serverët e kompanive amerikane, përfshirë e-mailet, llogaritë në rrjetet sociale dhe të dhënat e ruajtura në Cloud, në kuadër të hetimeve ndaj zyrtarëve të korruptuar dhe krimit të organizuar.
Përmes një fjalimi drejtuar prokurorëve, hetuesve dhe gjyqtarëve, ambasadori amerikan ua bëri të qartë se provat që ndodhen në serverët në Shtetet e Bashkuara janë të arritshme për drejtësinë shqiptare.
“Disa nga provat që ju nevojiten ndodhen në serverë në Shtetet e Bashkuara: postë elektronike, llogari të rrjeteve sociale dhe hapësira ruajtjeje në re (cloud) që mbahen nga kompani amerikane.
Ju mund t’i merrni ato prova. Por, ju duhet të njihni rregullat: çfarë duhet të ruani, çfarë duhet të kërkoni, si ta bëni kërkesën dhe si të veproni shpejt”, deklaroi Wendt.
Mesazhi i amerikanëve vjen më pak se dy muaj pasi kryeministri Edi Rama prezantoi ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, përmes të cilave synohet të kufizohet kontrolli i përmbajtjes së telefonave të sekuestruar nga organet e drejtësisë.
Paketa e prezantuar më 30 shtator parashikon që për hapjen, kopjimin dhe përpunimin e të dhënave të një telefoni të kërkohet autorizim paraprak nga gjykata, e cila do të përcaktojë edhe aplikacionet, periudhën dhe kategoritë e informacionit që mund të kontrollohen. Të dhënat e siguruara jashtë këtij autorizimi parashikohet të jenë të papërdorshme si prova.
Por mundësia për të siguruar të dhëna nga serverët amerikanë hap një tjetër rrugë për hetuesit e SPAK-ut. Fshirja e komunikimeve, ndërrimi apo asgjësimi fizik i telefonave nga personat nën hetim nuk garanton zhdukjen e provave, për sa kohë që kopje të tyre mund të vazhdojnë të ruhen në serverët e kompanive teknologjike.
Madje, ambasadori amerikan u kërkoi prokurorëve të veprojnë me shpejtësi për të parandaluar zhdukjen e këtyre të dhënave.
“Të dhënat mund të zhduken brenda disa ditësh. Një kërkesë për ruajtje e dërguar sot mund të shpëtojë një çështje që përndryshe do të rrëzohej vitin e ardhshëm.”
Për këtë qëllim, amerikanët kanë sjellë ekspertin e Departamentit të Drejtësisë, Taylor Phillips, i cili do të trajnojë profesionistët e drejtësisë shqiptare mbi procedurat për sigurimin e këtyre provave.
Asistenca amerikane synon gjithashtu gjurmimin e pasurive të fshehura në kriptomonedha, llogari offshore dhe kompani guaskë.
“Trafikanti i drogës koordinon dërgesat në aplikacione të enkriptuara. Zyrtari i korruptuar fsheh ryshfetin në portofole kriptovalutash dhe në llogari jashtë vendit (offshore). Pastruesi i parave transferon fonde përtej kufijve brenda pak sekondave”, u shpreh ambasadori.
Në fund të fjalimit, Wendt përcolli një mesazh të drejtpërdrejtë për aftësinë e drejtësisë shqiptare për të depërtuar në botën digjitale, ku zyrtarët e korruptuar dhe krimi i organizuar përpiqen të fshehin gjurmët e tyre.
“Zyrtarët e korruptuar dhe kriminelët e organizuar vënë bast se ju nuk mund ta ndiqni atë gjurmë përtej kufijve, nëpër aplikacione të enkriptuara dhe brenda portofoleve të kriptomonedhave.
Ky seminar ka për qëllim t’iu provojë që e kanë gabim.
Ndiqni provat. Ndiqni paratë.” – u shpreh ambasadori i ri amerikan në Tiranë.

















