Fier – Dikur toka ishte burimi kryesor i jetesës për familjet e zonës, ndërsa sot shumë parcela kanë mbetur të papunuara. Të rinjtë janë larguar në emigracion, të moshuarit nuk kanë më fuqi dhe mundësi ekonomike për të punuar tokën, ndërsa kostot e larta të prodhimit po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë mbijetesën e bujqësisë.

Në fshatrat e zonës së Kallm i Madh, Kallm i Vogël dhe Vërrisë, heshtja në parcelat bujqësore po bëhet gjithnjë e më e dukshme. Aty ku dikur puna niste që në orët e para të mëngjesit dhe tokat mbilleshin nga njëri sezon në tjetrin, sot gjithnjë e më shumë sipërfaqe kanë mbetur të papunuara. Arat që dikur siguronin prodhimin për familjet, tashmë janë kthyer në hapësira të mbuluara nga bari dhe shkurret.

Pas kësaj pamjeje qëndron një realitet i vështirë social dhe ekonomik: emigracioni i të rinjve, plakja e popullsisë, mungesa e fuqisë punëtore dhe kostot gjithnjë e më të larta të bujqësisë. Një zinxhir problemesh që po e shtyn gradualisht këtë zonë drejt braktisjes së aktivitetit bujqësor.

Në shumë familje kanë mbetur kryesisht të moshuarit. Ata që për dekada kanë punuar tokën, kanë mbjellë, korrur dhe siguruar të ardhurat e familjes, sot e kanë gjithnjë e më të vështirë të vazhdojnë të njëjtën traditë. Mosha, shëndeti dhe pamundësitë ekonomike i kanë detyruar të reduktojnë sipërfaqet e mbjella ose të heqin dorë plotësisht nga kultivimi.

Pensioni nuk mjafton as për jetesën, jo më për të investuar në tokë.

Ky është shqetësimi që përsëritet në bisedat me banorët. Për të punuar një parcelë duhen para për plugimin, frezimin, farërat, plehrat kimike dhe shërbimet e tjera bujqësore. Shpenzime që për një familje me të ardhura të kufizuara janë bërë pothuajse të papërballueshme.

Një tjetër problem është mungesa e njerëzve që mund të angazhohen në punët e bujqësisë. Edhe kur një familje ka dëshirë dhe mundësi të mbjellë tokën, gjetja e punëtorëve është gjithnjë e më e vështirë. Të rinjtë janë larguar, ndërsa brezi që ka mbetur në fshat nuk ka më kapacitetin fizik për të përballuar punët e rënda.

Toka që dikur ushqente familjet, sot jepet me qira ose shitet

Përballë këtyre vështirësive, shumë pronarë po zgjedhin të mos e punojnë më tokën. Një pjesë e parcelave jepen me qira, të tjera shiten, ndërsa një numër i konsiderueshëm mbeten të papunuara.

Për banorët, kjo nuk është thjesht një çështje ekonomike. Është edhe humbje e një mënyre jetese të trashëguar ndër breza. Bujqësia ka qenë për shumë vite aktiviteti kryesor që mbante gjallë familjet dhe krijonte lidhjen mes njerëzve dhe vendit të tyre. Sot kjo lidhje po dobësohet, ndërsa toka, dikur pasuria më e madhe e familjeve, po humbet gradualisht funksionin e saj.

Subvencionet e pamjaftueshme dhe mungesa e mbështetjes ekonomike janë një tjetër shqetësim i ngritur nga fermerët. Sipas tyre, pa një mbështetje më të madhe për prodhimin bujqësor, është e vështirë të përballohen shpenzimet dhe të sigurohet vazhdimësia e aktivitetit.

Fshatrat po plaken, kush do ta punojë tokën nesër?

Përtej parcelave të lëna djerrë, shqetësues është edhe ndryshimi demografik që po përjetojnë Kallmi dhe Vërri. Largimi i të rinjve në emigracion ka lënë pas familje të moshuara dhe komunitete gjithnjë e më të vogla. Në shumë raste, fëmijët dhe nipërit jetojnë jashtë vendit, ndërsa prindërit apo gjyshërit vazhdojnë të qëndrojnë në fshat.

Kjo ngre një tjetër pikëpyetje: kush do të merret me bujqësinë në vitet që vijnë? Edhe nëse do të ketë mundësi për mbështetje financiare dhe investime, mungesa e njerëzve që mund të punojnë tokën mbetet një pengesë serioze.

Pamjet nga fshatrat e zonës tregojnë më shumë sesa parcela të pambjella. Ato pasqyrojnë një realitet që po prek gjithnjë e më shumë zonat rurale: largimin e popullsisë, tkurrjen e aktivitetit ekonomik dhe rrezikun e humbjes së traditës bujqësore.

Video…

Kallmi dhe Vërria nuk janë thjesht dy zona ku bujqësia po kalon vështirësi. Ato janë shembulli i një fenomeni që po shtrihet në shumë fshatra të vendit, ku toka është ende aty, por duart që e punojnë po mungojnë çdo ditë e më shumë.

Dhe ndërsa parcelat presin të mbillen, pyetja që mbetet është nëse fshati do të arrijë të rigjejë njerëzit dhe mundësitë për të mbajtur gjallë bujqësinë, apo do të vijë një ditë kur tokat do të mbeten vetëm kujtim i një kohe kur fshati prodhonte dhe jetonte nga puna e tij. / ALB365/ Xhemil Beharaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts