Gjykata Fier pranon kërkesën e avokatëve, Sokol Hoxha fiton lirinë

Fier – Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Fierit ka pranuar kërkesën e mbrojtjes për lirimin e Sokol Hoxhës, i cili ishte shpallur në kërkim për vrasjen e dy vëllezërve Banaj në vitin 1997 pas një debati për një kasetofon makine.
Hoxha ishte dënuar në mungesë me 25 vite burg, pasi në atë kohë nuk ishte bërë i mundur arrestimi i tij. Pas ngjarjes, ai kishte arritur të largohej nga Shqipëria dhe të shkonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u arrestua pas më shumë se 25 vitesh. Më pas, ai u ekstradua drejt Shqipërisë, pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare.
Pas mbërritjes në Shqipëri, Hoxha u dërgua në ambientet e paraburgimit në burgun e Fierit.
Seanca gjyqësore ndaj tij nisi paraditen e sotme, në orën 11 : 15. Gjatë procesit, prokuroria w përfaqsuar nga Malbora Dinaj kërkoi që ai të mbahej në burg, duke argumentuar edhe se Hoxha ishte dënuar me burgim të përjetshëm në Belgjikë për vrasjen e një shtetasi.
Nga ana tjetër, dy avokatët e tij Toto Avdija dhe Rozeta Plaku kërkuan lirimin, me argumentin se kishin kaluar mbi 25 vite nga momenti kur vendimi i dënimit kishte marrë formë të prerë dhe se autoritetet shqiptare nuk kishin arritur ta arrestonin për të vuajtur dënimin.
Sa i përket dënimit të dhënë nga drejtësia belge, mbrojtja pretendoi se nuk ekzistonte një kërkesë nga autoritetet belge për shpalljen e tij në kërkim ndërkombëtar lidhur me vrasjen e shtetases Brunilda Dervishi në Belgjikë.


Pas dëgjimit të pretendimeve të prokurorisë dhe mbrojtjes, gjyqtarja Aurora Tusha vendosi të pranonte kërkesën e avokatëve, duke urdhëruar lirimin e Sokol Hoxhës.
Avokatët e Hoxhës pohuan se për çështjen e vrasjes së dy vllezëve Banaj në 1997 në Patos kishin kaluar afro 29 vjet më parë, klienti i tyre ka fituar lirinë, por tashmë ai ka një çështje tjetër që duhet të përballet me drejtësinë.








