Sokol Hoxha, i ekstraduar nga SHBA, kërkon parashkrimin e dënimit para gjykatës së Fierit

Fier – Në gjykatën e Fierit, nën masa të rrepta sigurie, ka mbërritur 51-vjeçari Sokol Hoxha, i ekstraduar nga SHBA-ja. Ai është i dënuar për vrasjen e tre shtetasve dhe po kërkon të shpallet parashkrimi i dënimit penal.
Hoxha, nga Patosi, u dënua me 25 vite burg për vrasjen e dy vëllezërve Banaj në vitin 1997, në kohën e kryerjes së krimit ishte 19 vjeçar. Gjykata belge e ka dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Brunilda Dervishit. Tani ai kërkon të përfitojë nga mekanizmat e së drejtës penale, siç është parashkrimi i dënimit.
Hoxha u arrestua në SHBA në muajin maj, falë bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese në Shqipëri, Belgjikë dhe SHBA, në kuadër të operacionit “Globi”. Ai u ekstradua në Shqipëri më 6 gusht dhe u dërgua në burgun e Fierit për të vuajtur dënimin me 25 vite burg, të dhënë në mungesë nga Gjykata e Fierit në vitin 2000.

Meqenëse kanë kaluar 26 vite nga mosekzekutimi i dënimit, Hoxha nëpërmjet dy avokatëve të tij Toto Avdia dhe Rozeta Plaku kërkon shuarjen e tij. Seanca e mbajtur një javë më parë u shty për sot, me qëllim që të kërkohej informacion nga Gjykata e Lartë lidhur me vendimmarrjen më të fundit. Para trupit gjykues, të përbërë nga gjyqtarja Aurora Tusha dhe prokurorja Malbora Dinaj, Hoxha do të përballet me kërkesën e tij për lirimin nga burgu.







