Protestat në Shqipëri/ Senatorja demokrate: Populli ka të drejtë të kërkojë llogari

Senatorja demokrate amerikane Elissa Slotkin ka reaguar për protestat në Shqipëri, duke theksuar se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë në mënyrë paqësore dhe të kërkojnë llogari nga përfaqësuesit e tyre. Ajo i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare të respektojë shtetin e së drejtës, të parandalojë përdorimin e tepruar të forcës policore dhe të luftojë korrupsionin.
Slotkin u ka bërë thirrje të gjitha palëve të ulin tensionet dhe të gjejnë një zgjidhje paqësore, ndërsa protestat studentore në Shqipëri janë përshkallëzuar pas pakënaqësive të akumuluara për tarifat e studimit, cilësinë e mësimdhënies dhe kushtet në konvikte.
“Gjatë ditëve të fundit, kam marrë një sërë telefonatash nga banorë të Miçiganit, të shqetësuar për përshkallëzimin e dhunës në Shqipëri, si dhe në vende të tjera evropiane.
Populli shqiptar ka të drejtë të protestojë në mënyrë paqësore dhe të kërkojë llogari nga zyrtarët e zgjedhur prej tij.
Po ashtu, qeveria shqiptare ka detyrimin të respektojë shtetin e së drejtës, të mbrojë protestuesit nga përdorimi i tepruar i forcës policore, të luftojë korrupsionin dhe t’u përgjigjet shqetësimeve të qytetarëve.
U bëj thirrje të dyja palëve të bëjnë gjithçka që munden për të ulur tensionet dhe për të gjetur një rrugë paqësore për të ecur përpara” – shkruan senatorja demokrate e Miçiganit.








