Rikthehen përplasjet në rrugët e Tiranës/ Përballë policisë, studentët dhe mbështetësit e PD

Protesta e studentëve është përshkallëzuar këtë të shtunë rreth orës 14:00, në momentin kur drejt ministrisë së Arsimit është qëlluar me gurë. Policia, e pajisur me dy autobotë të rinj që kanë mbërritur nga Turqia, është kundërpërgjigjur menjëherë me ujë me presion dhe plumba gome duke detyruar protestuesit të tërhiqen.
Vetëm se këtë të shtunë, përballë policisë nuk janë vetëm studentët. Atyre iu janë bashkuar edhe simpatizantë të Partisë Demokratike që ishin thirrur në një protestë kombëtare në mbështetje të të rinjve dhe marshuan nga kryeministria drejt rrugës së Durrësit për të shtuar forcat në protestën e studentëve.
Dy autobotë dhe efektivë janë vënë në ndjekje të protestuesve duke hedhur ujë e gaz lotsjellës vazhdimisht drejt tyre.
Këta të fundit janë spostuar nga “Rruga e Durrësit” te sheshi “Skënderbej”. Nga ana e tyre, protestuesit kanë hedhur fishekzjarre e kapsolla drejt efektivëve, teksa këta të fundit avanconin. Studentët dhe qytetarët kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë, ku duket se do të vijojë pjesa tjetër e kësaj proteste.







