Një aksident mjaft i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të marte në Mestre, një provincë e Venecia në Itali. Një autobus me njerëz të shumtë në bord doli nga rruga në një mbikalim dhe ra mbi shinat e një hekurudhe aty pranë.
Deri tani autoritetet thonë se bilanci është 21 të vdekur, 12 të plagosur dhe 4-5 të zhdukur. Mes viktimave dhe të plagosurve ka edhe fëmijë. Aksidenti ndodhi pak pas orës 19:30 kur për arsye ende të paqarta, autobusi doli nga rruga në një mbikalim dhe ra nga një lartësi prej 10 metrash. Të paktën 40 ambulanca shkuan në vendngjarje pas alarmit të dhënë.
Për momentin nuk dihen shumë nga rrethanat dhe shkaqet e aksidentit. Linja hekurudhore mes Mestres dhe Venecias u bllokua për shkak të aksidentit. Sipas mediave italiane, autobusi i aksidentuar, i cili përdorte gaz metan, ka marrë flakë menjëherë pas përplasjes.
“Ka shumë të vdekur, shumë” – ishin fjalët e një zjarrfikësi që u largua nga vendi i ngjarjes. Autobusi që u rrëzua punonte për llogari të një kampingu në zonë dhe ishte mbushur plot me njerëz. Ka reaguar menjëherë kryeministrja e Itali së Giorgia Meloni që shprehu ngushëllime për ngjarjen. ©LAPSI.al