OP/ AN

As Trump, as Putin, por Sinaloa

Nga Çim Peka – Zbarkimi në Tiranë i Chris LaCivita, kryetari i Këshillit Kombëtar Republikan, pra kryetari i partisë së Donald Trump, ish-drejtues i fushatës së tij, për të ndihmuar Sali Berishën, si dhe arrestimi i Erion Velisë në të njëjtën ditë, duket se e kanë hedhur Edi Ramën në një humnerë duke humbur jo vetëm kontrollin, por edhe orientimin. Java që kaloi shënon aktivitetin më të furishëm politiko-juridik dhe diplomatik të tij. Pas ‘prishjes’ me Soros, erdhi përpjekja e tij herkuliane për t’u afruar me ekipin e ri të Presidentit Trump. Përpjekjet e tij për tu takuar apo për tu ulur në tavolina të rëndësishme ne Uashington, Berlin apo Paris dështuan përfundimisht. Pasi u qartësua se dyert në Uashington i janë mbyllur përgjithmonë, u ‘ripajtua’ me Soros duke pranuar kështu humbjen dhe kalimin në kampin humbës andej dhe këtej Atlantikut.

Në këtë ç’orientim të madh, po mundohet të ndërtojë një narrative false, idiote dhe dështake: atë të Amerikës armike, bashkëpunuese me Rusinë në kurriz të Evropës, dhe shqiptarëve. Por, problemi i Ramës nuk është as Amerika, as Donald Trump, as Rusia e as Vladimir Putin, por karteli Sinaloa. Thelbi i problemeve të tij është se për 12 vjet ka lozur jashtë ligës së tij. Një megaloman i sëmurë, qenien e tij si kryeministri i një vendi të vogël për të bërë lojë të madhe globale.

Sikur të ishte vetëm pak më pak megaloman, ai duhej të kishte kuptuar se me Amerikën mund të bësh ç’të duash, por kurrsesi nuk mund të kalosh tre vija të kuqe: e para, mos-korruptimi i zyrtarëve të lartë, aq më tepër në fushën e sigurisë kombëtare; së dyti, mos bëj trafik droge në SHBA ose në periferinë e saj, dhe së treti, mos e ndyj dollarin në aktivitet kriminal apo pastrim parash. Shkelja e vetëm njërës nga këto, herët a vonë të djeg dhe të përcëllon. Rama i ka shkelur të tria. Sot, administrata amerikane shpalli kartelin meksikan Sinaloa si organizatë terroriste. Ky kartel ka një karrige në zyrën e Edi Ramës. Dhe ai nuk mundet që paradite të ulet me Sinaloa-n, dhe në fund të ditës të darkojë me J.D.Vance apo Sekretarin e Shtetit Rubio.

George Soros ka shumë miq në Evropë dhe botë, por asnjëri prej tyrë nuk është i zhytur në ndyrësirë si Edi Rama. Eshtë e qartë se paratë e USAID kanë shkuar tek gratë e Ramës dhe gra të tjera socialiste. Por, ky është problemi më i vogël i tij. Ai mund të ikë nga pushteti vetëm me një telefonatë. Por ajo telefonatë nuk ka për t’i ardhur kurrë. Në vend të asaj telefonate ka ardhur Chris LaCivita. Rama nuk do të ikë nga pushteti me marrëveshje, por me shkërmoqje. Kjo është edhe esenca e irritimit të tij me SPAK. Atij nuk do t’i arrestohen thjeshtë vartës dhe zyrtarë të larte, por krerët e shtabeve elektorale. Ata krerë që kanë bërë bashkë politikën me krimin, dhe që mendonin se do të përdornin organizatat kriminale përsëri për të vjedhur zgjedhjet.

Ata që deri sot i përplasnin Sali Berishës non-gratën në fytyrë, janë ata që rrezikun anglo-amerikan e kanë zëvendësuar me rrezikun Trump-Putin-Berisha kundër Edi Ramës. Vetëm një hall jashtëzakonisht i madh të bën të dalësh me idiotësi të tilla. Ndryshe nga ç’mund të mendojë Edi Rama, ne nuk mund të përcaktojmë as interesat shtetërore të SHBA-ve, as fatin e Evropës, dhe rolin e Rusisë dhe Kinës. Aq më pak t’i vendosim ato kundra njëra-tjetrës. Roli i Shqipërisë është i qartë: të kuptojë se ç’po ndodh dhe të dijë të orientohet. Nuk mundet që ideatori dhe promotori i ndarjes së Kosovës të shqetësohet për kërcënimin ruso-amerikan për të. As për fatin e Evropës, se nuk e pyet kush. Para pak javësh Rama shpalli me bujë se Donald Trump do të vinte në Shqipëri në vitin 2027 në kuadër të Samitit të NATO-s. Tani që e kuptoi se nuk do jetë vërdallë për ta pritur, po e shpall atë armik të shqiptarëve dhe Evropës. Nëse ndodh që samiti i NATO-s të mbahet në Tiranë, Sali Berisha do të presë Donald Trump si mikun e shqiptarëve, dhe si personin që shpëtoi Shqipërinë nga projekti Soros-Rama për shpopullimin dhe shpërbërjen e Shqipërisë. Sa i përket Kosovës, mjafton të lexoni telegramin e urimit që Trump i dërgoi presidentes Osmani.

Makthit të Ramës do t’i përgjigjem më një citim të tij: prisni se s’keni parë gjë akoma.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button