KRYESORESPORT

Bajrovic nxjerr Tiranën nga rënia, Laçi mbyt Teutën me tris golash

Tirana siguroi një fitore jetike ndaj Skënderbeut me rezultatin minimal 1-0, duke u larguar nga zona e ftohtë dhe ngjitur në vendin e shtatë të renditjes. Ndeshja u zgjidh në minutat e fundit, kur Elvir Bajrovic realizoi një penallti vendimtare, pas një aksioni të iniciuar nga talenti 16-vjeçar Serxho Vogli.

Protagonisti që nuk e pret…

Me mungesa të rëndësishme për shkak të pezullimeve dhe dëmtimeve, pas ngjarjeve në derbin kryeqytetas, Tirana u përball me një sfidë të vështirë ndaj Skënderbeut, që lufton për mbijetesë. Ndeshja ishte e luftuar dhe me pak raste të pastra shënimi, por gjithçka ndryshoi në minutën e 82-të. Serxho Vogli, i futur nga stoli, fitoi një penallti pas një depërtimi të guximshëm në zonën kundërshtare.

Gjyqtari Klodian Prenga akordoi 11-metërshin, të cilin Bajrovic e ekzekutoi saktë në minutën e 85-të, duke i dhënë Tiranës 3 pikë jetike. I lumtur pas ndeshjes tekniku bardheblu Bledi Shkëmbi: “Kemi vuajtur shumë gjatë javës nga mungesat. Bëmë një ndeshje mos të them të dobët se morëm 3 pikë. Një nga ndeshjet më pak të mira të paktën nën drejtimin tim tek Tirana”.

Pasojat në renditje

Falë kësaj fitoreje, bardheblutë ngjiten në kuotën e 26 pikëve, duke u pozicionuar në vendin e shtatë dhe duke dalë nga zona e rrezikut. Nga ana tjetër, Skënderbeu mbetet në fund të tabelës me 20 pikë pas 25 ndeshjesh, duke komplikuar gjithnjë e më shumë mbijetesën e tij në elitën e futbollit shqiptar. Në vendin e tetë ndodhet Teuta, ndërsa një pozicion më sipër gjendet Bylisi, të dyja ende në luftë për të shmangur rënien nga kategoria.

Jo pa ironi është shprehur edhe tekniku i korçarëve Ernest Gjoka pas ndeshjes: “Ndeshja deri diku ishte e barabartë, e cila u nda tek penalltia. Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme që duhet të luftonim gjithçka. Kjo humbje na fut në shumë ngarkesë psikologjike. Ne do vazhdonim të ishim në idetë e pjesës së parë, ndoshta kishte ndonjë moment të vështirë. Situata rëndohet, skuadra u mundua të japë maksimumin, matematikisht do jemi në lojë. Ekipi do japë maksimumin, ishalla herën tjetër kemi fat të marrim edhe ne një penallti”.

Laçi nuk gabon në ndeshjen që ka rëndësi dhe shkatërron 3-0 Teutën. Të besuarit e teknikut Moriero tani e shohin veten në vendin e pestë të Superiores duke parakaluar Elbasanin. Luiz dhe pastaj dy herë Cordeiro Melo i dhanë fitoren kurbinasve. Devolli e sheh veten në vështirësi të madhe me vetëm një pikë në katër ndeshje në pankinën durrësake.

Situatë aspak e mirë për Teutën që pozicionohet në vendin e tetë, me një pikë më shumë se Tirana dhe katër pikë më shumë se Skënderbeu, por që duhet ende të luajnë ndeshjen e tyre. E kundërta ndodh me bardhezinjtë: Laçi siguron një 6 pikësh distancë nga zona e playoff. Sfida u zhbllokua në minutën e 26′ nga Paulo Zhunior, por ishte një pjesë e parë e luajtur e gjitha nën ritmin e kurbinasve. Në pjesën e parë pati disa dy mundësi të mira për shënim edhe Kurti.

Reagimi për Teutën erdhi vetëm nga këmbët e Peposhit, por Teuta ishte fare e pafuqishme për të përballuar vendasit. Laçi bëri diferencën në pjesën e dytë me protagonist absolut Cordeira Melo. Braziliani realizoi një dygolësh në minutat e 66’ dhe 88’, duke vulosur suksesin e të tijve. “Sërish duhet të përmirsohemi në disa gjëra, por po shohim dritë në fund.

Të gjithë djemtë janë mirë dhe mua nuk më pëlqen të përmend emra të përveçëm. Luizi shkoi shumë mirë, Kurti ka bërë gjithashtu mirë. Është shpirti i ekipit që më intereson. Gjetëm ekuilibër në lojë dhe i bëmë kundërshtarët që të mbrohen, ishte kualiteti i djemve që bëri diferencën sot”, tha tekniku i kurbiasve Moriero.

Kështu Laçi merr fitoren e dytë radhazi dhe ngjitet në vendin e 5-të me 30 pikë. Situata dëshpëruese te Teuta me 24 pikë në zonën e playout, por me rrezikun për tu parakaluar nga Tirana, ose kapur nga Skënderbeu. “Më vjen inat, pasi duhet t’i bëjmë gjërat siç duhet kur kemi dhe nuk kemi topin. Ne prap i shkuam Laçit te porta, goditëm në traversë dhe për këto nuk mërzitem. Por kur bëhen gabime individuale mërzitem shumë. Te goli i dytë u vra ndeshja, u mbyll ndeshja. Para golit të dytë ne kishim mundësi me Toman me shënuar”, e mbylli DEvolli.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button