Berisha: Belind Këlliçi merr Tiranën
Ish-Kryeministri Sali Berisha është shprehur i bindur se kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Belind Këlliçi do të fitojë zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës.
I ftuar në “Opinion” , Berisha krahasoi shifrat mes Belind Këlliçit dhe rivalit socialist Erion Veliaj. Për këtë të fundit, Berisha tha se ka më pak pëlqyeshmëri nga qytetarët.
“Fitore, fitore, fitore, e katërta është e sigurtë, e merr Belind Këlliçi. Belind Këlliçi prin qoftë në pollin dixhital dhe Erion Veliaj është i zhytur në negativitet. Shifeni Korçën, Sotiraq Filon i cili i mashtron çdo 4 vjet qytetarët e Korçës”, tha Sali Berisha.
Më tej Berisha tha i bindur se sipas tij nëse nesër do të zhvillohen zgjedhjet, bashkitë që ata nuk fitojnë, nuk numërohen as me gishtat e 2 duarve, teksa thekson se këtë bindje të tij e bazon në sondazhe.
Sali Berisha: Në qoftë se nesër do të zhvilloheshin zgjedhjet, unë mund të them se as me gishtat e 2 duarve, nuk numërohen bashkitë që nuk fitojmë, në qoftë se do të zhvilloheshin nesër.
Blendi Fevziu: Domethënë që PS-ja do të marrë deri në 10 bashki dhe ju do të merrni 51?
Sali Berisha: PS-ja po reduktohet në rezultatin e Partisë së Punës.
Andi Tela: Po nëse kjo që sapo thatë nuk ndodh?
Sali Berisha: Nuk ka nëse nuk do të ndodhë, kjo do të ndodhë. Unë kam ardhur këtu me të dhëna të plota ta sondazheve direkte me call center, qoftë dhe botën dixhitale.