Një 43-vjeçar shqiptar ka ndërruar jetë në Itali, mbrëmjen e djeshme, pasi nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra nga një aksident automobilistik të ndodhur më 2 dhjetor, në autostradën A20 në zonën e Acquedolcit.
Lajmi është dhënë nga Poliklinika e Mesinës, ku 43-vjeçari iu nënshtrua një operacioni kirurgjikal, ku iu pre këmba, për shkak të plagëve të parikuperueshme që ishte marrë në gjymtyrët e poshtëm.
Punëtori shqiptar, 43 vjeç, ishte pasagjer në një furgon, që po drejtohej nga një sipërmarrës nga zona e Nebroidit, teksa po ktheheshin në shtëpi.
Furgoni është përplasur me një kamionçinë buzë të rrugës.
Kamionçina, që i përket një kompanie nga Agrigento, dyshohet se kishte ndaluar për shkak të një avarie.
Pas aksidentit, 43-vjeçari është transportuar me urgjencë në Poliklinikën e Mesinës me një helikopter, ku i është nënshtruar një operacioni që zgjati gjatë natës e së shtunës dhe orëve të para të së dielës, por nuk mbijetoi plagëve.
Shkaqet e aksidentit janë ende të paqarta, ndërsa drejtuesit e dy mjeteve të përfshira, furgonit dhe kamionçinës, kanë pësuar lëndime të lehta.