Nga Pëllumb Kulla
“Në fund të fundit, nuk mund ta lë pa thënë se kjo është historia e jetës sime, siç është historia e Fuatit, e Luftarit, e Land Roshit, e Rik Hoxhës, e Sotirit…
Është historia e një zone të vuajtur, ku më degdisi jeta dhe ku fati më përkëdheli duke më dërguar të rritem…
Është histori karakteresh, legjendash, veprash fisnike dhe banalitetesh…
E gjitha kjo ndodhte në një vend ku ngrohte zjarri i humorit, ku shkrepëtinin xixat e fantazisë së Nestor Pogaçes, ku Fuati sillte rrëfenja myzeqarësh që i falnin vite jete Stalinit të sëmurë, apo se si një fis i tërë vaksinohej me një age të vetme, pa e ndërruar dhe pa e zhytur as në alkol, ku Ilir Bezhani më sillte pushimet në Fterrë të shoferit të kryeministrit e ku Luftar Paja shkëlqente me imitimet e fshatarëve mallakastriotë dhe lebër, ku aktorët dashuronin me dashurinë time: Çehovin, Nesinin, Mark Tuenin, Hashekun dhe Buxatin dhe zbatonin verbërisht pedagogjinë që sillja nga fakulteti: edhe kur ajo shkëlqente, edhe kur ajo çalonte!
Ishte histori e një skene, ku Xhuljeta ime në moshën 25 vjeçe debutoi me rolin e një plake të zamanit, e një mjedisi, ku jo vetëm Lad Muzha, por të gjithë aktorët e trupës teatrore nisën të ndjenin etjen që të bashkoheshin me: Todin, Arqilenë, Hasanin dhe Fatmirin, historia e një qendre pune, ku organizata bazë e partisë ishte grupimi më i pakulturuar dhe kishte të vetëndjerin se udhëhiqte..!
Dhe bile që ishte autorja e sukseseve, frymëzuesja e repertorit dhe arritjeve aktoriale, muzikore dhe vokale….!
Ishte vendi ku Maku, dramaturgu i teatrit dhe Todi, sekretari i asaj organizate, pa bujë dhe pa buçima, në konflikte i dilnin krah Pëllumb Kullës, më shumë se shokut të tyre të organizatës dhe e ndjenin se poezia e rruzullit fshihej më shumë tek skeçet me karaktere se sa në buletinet për përdorim të brendshëm që u vinin nga shkallët e larta të partisë.
Kjo ndodhte në Fier, në atë Fier, ku përgojohej jetëshkrimi i njërit prej autorëve më të mirë të humorit skenik, ku një herë në vit duheshin plotësuar dokumentet jetëshkrimore dhe ku pyetjes së shoqes të kuadrit, nëse i jetonte ende gjyshi, Kulla kishte pacipësinë t’i përgjigjej, jo thjesht “nuk jeton”, por “është pushkatuar.”
Aty sekretarët e Komitetit të Partisë e kishin frikë partinë e tyre më shumë seç e kisha unë.
Vend i bekuar!…
Sensi i humorit lulëzonte tek punëtorët e skenës, tek orkestrantët, marangozët, kaldaistët, aq sa njëri prej tyre, Leu Lipe, shkëlqeu në popullaritet dhe u bë Artist i Merituar i Republikës.
Mbi atë skenë mbretëroi pa u shuar asnjëherë pranvera e haresë, se aty puna nuk ishte lodhje, por dashuri dhe frymëzim. Aty morën jetë figura artistike madhore, myzeqarët e Fuatit, Çoboja, pleqtë dhe ballistët e Luftarit, zëri i dytë humoristik i Hasanit, batutat e spërkatura me nëntekste të qëlluar të Todit, karakteret temperamentale të Xhuljetës, prurjet mjeshtërore të Fatmirit, portretet episodikë që Sotiri, jo vetëm nuk i përbuzi, por i gatoi me talent të paparë.
Ishte vendi, ku si rrallëkund, në pikë të agut të mëngjesit, u ndezën zjarre pranë biletarisë, në pritje të hapjes së saj orë më vonë, për të mundur të shihje Canen e pikëlluar pasi i kishin vjedhur lopën, Lipe Shtogun, Dasmën e Malos, Selon që ngrinte në qiell Belulin. Bileta për në mbrëmje, për të shijuar ironitë e zonjave buzëmbledhura, që sillnin Hajria me Natashën, atëherë kur ato vinin mysafire në përbërje të trupës, monologjet e Vasos dhe kupletet e qëlluara të Rik Hoxhës…
Do të vinin për të shijuar zërat e Ëngjëllushes, Lefterisë, Sofikës, Brunës, Timos dhe atë prej tenori të Todit; pianon e Maries, fizarmonikë e Isufit, flautin e Mitit, saksin e Llazit, trombën e Janit, kitarën e Sandrit.
Edhe sidomos për të ndjekur rritjen e Rikut, i cili që nga Konservatori solli kërkimet novatore, orkestrimet dhe ekzekutimet brilante vetjake në dy instrumenta: saks dhe klarinetë.
Ato kanë qenë vite vetëm me pranvera!…
Faleminderit fatit dhe njerëzve të mirë që ishin të shumtë!
E shenjtë bukuria e asaj jete, ku penat më të mira humoristike të vendit synonin interpretime të goditura. Pra, fluturonin drejt Fierit faqet e arta letrare të Kallamatës, Buxhelit, Musarait, Tasim Alisë, Dritëroit, Viljamit… Dhe ku vendasit sollën ajkën e shkrimeve të tyre, Ndini, Llazoja, Nevruzi, Tashkoja…
Faqet e vlerta të tyre përzgjidheshin dhe kalonin filtrat e lartë të pjekurisë letrare të Laços dhe finesës poetike të Makut.
Vërtet, vërtet!
Është e pabesueshme se si njëzet vite nga këta të mitë, të tetëdhjetë stinët i patën vetëm pranvera!
Nuk ta beson kush!
Dhe ka të drejtë!”
Shkruar në 60 – vjetorin e themelimit të Estradës Profesioniste Fier.