Fatlume Bunjaku pjesë e “European Shooting Stars 2026”

Aktorja Fatlume Bunjaku ka shënuar një sukses në karrierën e saj me kinematografinë. Qendra Kombëtare e Kinematografisë njofton përzgjedhjen e aktores Fatlume Bunjaku, si një nga 10 aktorët më premtuese të Europës për vitin 2026, në kuadër të programit “European Shooting Stars”, e nominuar me rolin e saj ne filmin “Hana”, të regjisorit Ujkan Hysaj. Filmi “Hana” u realizua nga shtëpia filmike “Ajo Pictures” me regjisor Ujkan Hysaj, skenarist Fadil Hysaj dhe producent Ujkan Hysaj dhe Kushtrim Koliqi.
Në filmin artistik, Sara një aktore që u dhunua gjatë luftës në Kosovë bëhet protagoniste e një filmi të huaj që merret me dhunimin, ndërsa përjeton të njëjtat situata, më në fund arrin të lirojë veten nga trauma e saj.
“European Shooting Stars” është një nga programet më të rëndësishme të organizatës European Film Promotion (EFP). Juria për Shooting Stars 2026 përbëhej nga: Danica Ćurčić (Aktore daneze, ish-Shooting Star), Danis Tanović, (Regjisor boshnjak-Oscar për No Man’s Land), Leila Latif (Kritike filmi sudandenezo-britanike), Jo Monteiro (Casting Director nga Portugalia) dhe Jacques-Henri Bronckart (Producent belg i mbi 100 filmave dhe serialeve).
Gjatë Berlinale 2026, talentet e përzgjedhura do të marrin pjesë në një program katërditor, i cili përfshin sesione rrjetëzimi, takime me përfaqësues të industrisë, aktivitete për shtypin, ceremoninë e ndarjes së çmimit “European Shooting Stars”, si edhe një moment të veçantë në tapetin e kuq, me prezantimin zyrtar të grupit në Berlinale Palast.









