Fermeri i Levanit/ “Më dogji gjithçka” – 1200 ullinj shkrumb, mbeta me borxhin e bankë.

Fier – 1200 pemë ulliri të shkrumbuara dhe një investim i tërë i kthyer në hi. Ky është bilanci i zjarrit për fermerin nga Levani, i cili thotë se flakët i kanë djegur rreth 1200 ullinj, të gjithë në prodhim.
“Zjarri më shkatërroi çdo gjë. Ullinjt i kisha me prodhim. Kisha shpresë se këtë vit do të nxirrja të ardhura.”
Përveç tokës së tij, fermeri kishte marrë me qira edhe sipërfaqe të tjera, ku kishte investuar ndër vite. Tani, pas zjarrit, në vend të prodhimit ka mbetur vetëm toka e nxirë.




Por dëmi nuk është vetëm tek pemët. Fermeri thotë se ka një kredi prej rreth 100 milionë lekësh në bankë dhe llogariste pikërisht te prodhimi i këtij viti për të përballuar detyrimet.
“Kam marrë 100 milionë lekë kredi në bankë. Shpresoja që këtë vit, meqë ullinjt i kisha të gjithë në prodhim, të kisha një mundësi tjetër për ta shlyer. Tani nuk kam më asgjë.” pohon fermeri me lot në sy e duart që i dridhen.
Fermeri thotë se nuk ka përfituar subvencione dhe se ullishtet nuk kanë qenë të siguruara. Ai është gjithashtu invalid dhe, sipas tij, pamundësia për të punuar normalisht e bën edhe më të vështirë përballimin e kësaj situate.
Ai shton se : “Zjarre kanë rënë edhe herë të tjera, janë djegur pesë apo shtatë ullinj. Por kështu, 100–1200 pemë, nuk më kishte ndodhur kurrë.”
Tashmë fermerët presin ndërhyrjen e autoriteteve. Një komision pritet të verifikojë sipërfaqet e djegura, të evidentojë dëmet dhe të kontaktojë fermerët e prekur.


Pas verifikimit pritet të përcaktohet edhe masa e mundshme e dëmshpërblimit.
Për fermerin nga Levani zjarri nuk dogji vetëm ullinjtë. Bashkë me pemët u shkrumbua edhe shpresa për të siguruar të ardhurat e këtij viti dhe për të përballuar borxhin e marrë në bankë. / ALB366/ Xhemil Beharaj










