MAGAZINË

Guasch nuk ia fal Luis Enriques: “Ishte tallje publike, priti 9 vjet për hakmarrje”

Ajo e Luis Enrique ishte një pritë e paramenduar ndaj saj, një hakmarrje ‘e ftohtë’ e servirur nga një pozicion në atë moment qartësisht i fuqishëm dhe përpara audiencës më të madhe të mundshme, me miliona spanjollë që ndiqnin skenën drejtpërdrejt në televizion: Susana Guasch, gazetarja iberike 46-vjeçare, nuk ka asnjë dyshim në vlerësimin e asaj që ndodhi në fushën e lojës në Mynih pas finales së Champions League të fituar nga PSG ndaj Inter.

Në fakt, trajneri i sapo shpallur kampion, në atë moment kishte thënë se ndodhej aty për intervistën sepse në pozicionin e studios ishin ish-futbollisti i Real Madrid Alvaro Benito dhe sidomos gazetarja tjetër e transmetuesit, Monica Marchante: “Për ty pak”, kishte artikuluar në vend të kësaj me një të qeshur sarkastike drejtuar Guasch.

Gazetarja e Movistar+ kishte tentuar ta zbutte tensionin, fryt i hatërmbetjeve të vjetra që dukshëm Luis Enrique nuk i kishte harruar, me një batutë: “Koha kalon, sa kohë ka kaluar?”. Por trajneri asturian nuk ia kishte pranuar dorën e shtrirë: “Nuk e di. Unë jam gjithmonë i ri. Nuk e di sa kohë ka kaluar”. Një situatë e papritur, por sidomos mjaft e sikletshme, që pashmangshëm vendosi një re të rëndë mbi intervistën dhe më pas monopolizoi rrjetet sociale.

Pikërisht ajo që kërkonte trajneri 55-vjeçar nga Gijoni, sipas vetë Guasch, e cila, përpara se të kalonte në kundërsulm, kishte postuar një video në Instagram që dukej sikur donte të mbyllte çështjen duke shpjeguar origjinën e helmatisjes nga ish-trajneri i përfaqësueses iberike.

Susana Guasch shpjegon gjithçka në një video

“Kjo vëmendje e Luis Enrique daton që nëntë vite më parë. Për të pasur një ide, Lamine atëherë ishte tetë vjeç. Nëntë vite që nuk e kam parë më as nuk kam pasur ndonjëherë më të bëj me të – thotë gazetarja në video, duke shpjeguar se nuk kishte arsye të tjera për thumbimin e Luis Enrique përveç atyre që dihen –. Ishte viti 2016, Luis Enrique drejtonte Barcelonën dhe unë i bëja të gjitha intervistat para dhe pas ndeshjeve. Pra, si zakonisht, gazetari bën pyetje për të gjithë, për ata që fitojnë dhe për ata që humbasin. Problemi është se ai sezon nuk i shkoi mirë. Nuk kishte dëshirë për intervista. As për të folur për futbollin, as për asgjë që kishte të bënte me skuadrën. Në fund, gjërat përfunduan me Barcelonën të eliminuar nga Champions nga Atletico Madrid”.

“Shoh që nuk e ka harruar punën time dhe që nuk i ka pëlqyer. E pra, është çështje shijesh… por kjo është, nuk ka ndodhur asgjë tjetër, kaq – shton Guasch –. Gjëja më e mirë është që ai, pothuajse një dekadë më vonë, po vazhdon të bëjë punën e tij dhe unë po ashtu. Ai do të vazhdojë të mendojë se gazetarët nuk kanë as idenë më të vogël. Që është edhe titulli, ndër të tjera, i një dokumentari të mrekullueshëm për të (“Nuk keni as idenë më të vogël”, shën. red.), që nuk duhet ta humbni nëse nuk e keni parë, dhe unë do të vazhdoj t’i bëj të gjitha pyetjet që dua.”

Akuza e gazetares: “Kishte paramenduar gjithçka”

Dukej pra se gjithçka ishte zgjidhur dhe lënë pas, por nuk ishte kështu. Susana Guasch më pas foli sërish për çështjen në disa dalje radiofonike, duke e akuzuar hapur trajnerin e PSG për sjelljen e tij: “Luis Enrique e dinte se ishte në qendër të vëmendjes në rrjetet sociale, ishte një tallje publike. E dinte çfarë po bënte. Ajo që më çudit është që ai vazhdon të më japë këtë rëndësi. Nuk gjeta asgjë qesharake në atë që bëri, nuk më pa në sy. Priti nëntë vjet për të shpërthyer”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button