AKTUALITETEKONOMITOP-NEWS

Krizë në vreshtari, rrushi shitet me 50 lekë/kg: Kostot ‘hanë’ fitimin, fermerët kërkojnë pika grumbullimi

RroskovecVreshtaria në zonën e Roskovecit po përballet me vështirësi. Edhe këtë vit prodhimi i rrushit është i bollshëm, por fermerët thonë se çmimi i shitjes mbetet i ulët dhe nuk justifikon kostot e prodhimit.

Një kilogram rrush shitet aktualisht rreth 500 lekë të vjetra, ose 50 lekë të reja. Sipas fermerëve, ky çmim mezi mbulon shpenzimet e një viti pune.

“Një kilogram rrush duhet të shitet 500-600 lekë të vjetra vetëm që të dalim zero me zero. Pastaj duhet të mendojmë edhe për fitimin. Këtu futet edhe krahu i punës, edhe pse pjesën më të madhe të punës e bëjmë vetë.”

Kostot, sipas fermerëve, janë rritur ndjeshëm. Pesticidet kanë çmime të larta, ndërsa vreshti kërkon shërbime dhe punime të vazhdueshme gjatë gjithë vitit.

Përveç kostove, një tjetër problem mbetet tregu. Fermerët thonë se prej disa vitesh detyrohen ta gjejnë vetë blerësin, kryesisht te tregtarët që e përdorin rrushin për prodhimin e rakisë dhe verës.

“Ne do të donim të kishte pika grumbullimi. Fermeri duhet të merret me vreshtin dhe prodhimin, jo të endet për të gjetur tregun ku do ta shesë.”

Fermerët kërkojnë ngritjen e pikave të grumbullimit dhe një treg më të organizuar, që prodhimi të shitet me një çmim që mbulon kostot dhe siguron edhe fitim për fermerin.

Ata thonë se një pjesë e mirë e vreshtarëve i kanë prishur vreshtat duke i zëvendësuar me ullishta.

Në një kohë kur prodhimi është i bollshëm, fermerët thonë se paradoksi qëndron te fakti se puna dhe shpenzimet rriten, ndërsa fitimi mbetet gjithnjë e më i vogël.

Të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Bujqësisë në Fier, në njësinë administrative Kuman, ndodhen 26.6 ha të kultivuara me vreshta, ndërsa prodhimi vjetor arrin në 372 tonë. / ALB365

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button