Qeveria malazeze e drejtuar nga Dritan Abazoviç ka miratuar Marrëveshjen Themelore, e cila duhet të rregullojë marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe.
Nga 18 ministra të pranishëm, 13 prej tyre votuan pro ndëra 5 abstenuan, shkruan Euronews Serbia. Kryeministri Abazoviç deklaroi se marrëveshja është miratuar dhe ekziston mundësia që votimi të përsëritet në seancën e ardhshme ose në mënyrë elektronike.
“Nëse është e nevojshme votimi do të bëhet sërish pas shtatë ditësh. Nuk mund të flas në emër të njerëzve që nuk janë sot se si duan të votojnë, nëse ka dilemë, nuk ka problem të votohet në mënyrë elektronike në seancën e radhës”, u shpreh ai.
Zëvendëskryeministri Rashko Konjeviç tha se qeveria e Abazoviç po humb shumicën parlamentare që e ka mbështetur deri më tani.
“Konsultimet në lidhje me këtë dokument duhet të bëhen para miratimit dhe nëse miratimi bëhet pa të, kjo qeveri ka humbur shumicën dhe ne do të bëjmë kërkesë për zgjedhje”, tha Konjeviç.
Mijëra qytetarë u mblodhën të enjten mbrëma në Podgoricë për të protestuar kundër nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje.
Protestuesit mbanin flamujt kombëtarë, të Bashkimit Evropian si dhe pankarta ku shkruhej se kryeministri Abazoviç, “do të përgjigjej për keqbërjet e tij”.