Kjo ishte seanca e katërt parlamentare që kryeministri Edi Rama hesht për marrëdhënien e tij me Charles McGonigal në parlament, pavarësisht ngulmimit të opozitës. Tërheqja nga replikat për këtë çështje ra në sy edhe në shkrimin e Washington Post pak ditë më parë. Si asnjëherë tjetër, nuk ishte prononcuar zëdhënësi i kryeministrit Endri Fuga, por punonjësja e zyrës së shtypit, Manjola Hasa.
Spekulimet janë se Rama ende nuk është i sigurtë se çfarë mund të dalë nga dosja hetimore, prandaj hesht, sipas devizës se “çdo gjë që thua mund të përdoret kundër teje”.
Këtë ide e përforcon një shkrim i sotshëm i New York Post, media amerikane që zbuloi skandalin e emaileve të Hunter Biden, djalit problematik të presidentit amerikan Joe Biden.
New York Post ka analizuar kontaktet e Dorian Duçkës, këshilltarit pa pagesë të kryeministrit Edi Rama, njëkohësisht përfaqësues i një konglomerati kinez, CEFC.
Dihet tashmë se Dorian Duçka ishte bashkë me Ramën, Agron Nezën dhe Charles McGonigal në takimin e parë në kryeministri në Shtator të 2017. Më vonë ai ndihmoi personalisht për udhëtimet e dëshmitarëve të dosjes “Muzin” duke bashkëpunuar me McGonigal.
Lidhjet e Duçkës me Hunter Biden dhe kompaninë kineze CEFC
Por sipas New York Post, Duçka duke qenë përfaqësues i kinezëve të CEFC-së ishte i njohur edhe për djalin e presidentit amerikan, Hunter Biden. Në një nga emailet në laptopin e Hunter Biden, djali i presidentit amerikan shpreh mirënjohje për kontaktet që i ka krijuar ai.
“Neza prezantoi McGonigal me një tjetër shqiptar me lidhje të mira, Dorian Ducka, i cili ishte këshilltar i Ramës dhe gjithashtu punonte për CEFC. Një fotografi e publikuar muajin e kaluar në median shqiptare me burim nga China Daily në maj 2017 tregon Ducka duke qëndruar me kryetarin e CEFC, Ye Jianming, i cili i dha Hunterit një diamant 3,16 karatësh që vlerësohet të jetë 80,000 dollarë në shkurt 2017.
Ju gjithashtu i dha Hunter-it një bonus paraprak prej 1 milion dollarësh në mesin e vitit 2017, i cili përfundimisht u pagua për të ndihmuar kolegun e CEFC-së Patrick Ho pas arrestimit të tij.
Ducka shfaqet në laptopin e braktisur të Hunter në një diskutim me email rreth CEFC midis Hunter dhe bashkëpunëtorëve James Gilliar dhe Rob Walker.
“Dorian ishte një ndihmë e vërtetë që herët, kështu që ne duhet të shqyrtojmë se si ta përfshijmë atë” shkroi Gilliar në emailin e 13 majit 2017.
“Nuk ka shans të mos e bëjmë” përgjigjet Hunter, “dhe sikur shumica të thotë jo, unë do t’i heq paratë nga paga ime.”
Kjo bujari nuk ishte e zakonshme nga Hunter, i cili në atë kohë po i qahej partnerëve të tij të biznesit dhe kërkonte një pjesë më të madhe të fitimeve.
“Hunter nuk nxirrte asnjë qindarkë nga xhepi”, thotë një burim, i cili beson se “Doriani” i përmendur mund të jetë Ducka, pasi Gilliar kishte bërë biznes për CEFC në Shqipëri. “Kështu që kur Hunter thotë se ai do të paguante [Dorianin] kjo është një demonstrim i lidhjeve të forta” shkruan New York Post.
A u përdor McGonigal nga Hunter Biden në shërbim të kinezëve?
Duke parë se si Duçka, ashtu edhe Hunter Biden janë të lidhur fort me kompanitë kinezë, Neë York Post ngre pikëpyetje nëse edhe Charles McGonigal u vu në shërbim të tyre.
Nga emailet në laptopin e Hunter Biden është zbuluar se Ye Jianming i kërkoi në muajt korrik-shtator të 2017 të verifikonte nëse FBI po e hetonte atë apo drejtuesin e kompanisë Patrick Ho Chi-ping dhe djali i presidentit iu përgjigj se kjo nuk ishte e vërtetë.
Por në nëntor, Patrick Ho Chi-ping u arrestua nga agjentët e FBI-së sapo zbriti në Aeroportin JFK.
“Kryetari Ye ishte shumë i zemëruar” se inteligjenca e Hunter ishte e gabuar, kujton burimi për Neë York Post.
“Kushdo që pyeti Hunter në FBI e gënjeu dhe tha se Ye dhe Ho nuk ishin objektiva.”
Ne e dimë se Hunter kishte të paktën një burim në FBI, sepse avokati i Nju Jorkut, Edëard Kim, të cilit Hunter i ngarkoi punën ligjore për të ndihmuar Ho pas arrestimit të tij, e pyeti Hunterin në një email nëse ai mund të mbështetej në kontaktet e tij të FBI-së.
“Nëse jeni në gjendje të gjeni emrat e agjentëve të FBI-së me të cilët folët, kjo do të ishte e dobishme,” i shkroi Kim Hunterit më 18 nëntor 2017, në përgjigje të kërkesës së Hunterit që të vepronte me vendosmëri për Ho.
Në atë kohë, McGonigal ishte në krye të Divizionit të Kundërzbulimit të FBI-së në zyrën fushore të Nju Jorkut që kreu arrestimin” shkruan New York Post.
Shkrimi merr në analizë lidhjet e protagonistëve të aferës McGonigal, që është zyrtari më i lartë i FBI-së që procedohet ndonjëherë.
Në dosjen e Washingtonit për McGonigal nuk ka asnjë akuzë për korrupsion për kryeministrin Edi Rama i cili është imun nga drejtësia amerikane për shkak se mban postin e kreut të qeverisë.
Por ditët e fundit një seri raportimesh nga mediat më serioze të SHBA nuk lënë asnjë dyshim se McGonigal i shërbeu Edi Ramës në këmbim të favoreve.
Me përfshirjen e oligarkut rus Oleg Deripaska dhe me lidhjet e konglomeratit kinez, zhurma e skandalit McGonigal sa vjen e zgjerohet në SHBA.
Republikanët kanë nisur një hetim në kongres mbi çështjen McGonigal, që tenton të zbulojë çdo detaj nga veprimtaria e ish zyrtarit të FBI-së, për të kuptuar nëse ai u përdor nga agjensitë e huaja të inteligjencës ruse apo kineze, në hetime të rëndësishme ku ka marrë pjesë në të shkuarën