Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta me një postim në Facebook ka komentuar raportin e DASH që nxin qeverinë e Edi Ramës.
Meta shkruan se raporti i DASH konfirmon shqetësimet e ngritura me forcë nga opozita prej kohësh.
Reagimi i kreut të PL-së, Ilir Meta:
Përshëndes Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri.
Raporti konfirmon shqetësimet madhore të ngritura nga opozita me shumë forcë dhe në vazhdimësi për shkatërrimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, korrupsionin galopant në qeverisjen qendrore dhe lokale, dhunimin e sigurisë juridike për qytetarët dhe pronën, kapjen e gjyqësorit dhe pandëshkueshmërinë, presionin dhe shantazhin e jashtëzakonshëm të Qeverise ndaj medias dhe fjalës së lirë.
Nënvizimi në Raport i rasteve flagrante si, afera e inceneratorëve, presioni ndaj deputetit të opozitës, Agron Shehaj apo shembja e paligjshme e “Prestige Resort” janë provë e vëmendjes së shtuar të SHBA ndaj situatës tepër kritike në Shqipëri.
Ndaj 14 maji është dita me e madhe dhe momenti më vendimtar për çdo shqiptar për rivendosjen e shtetit ligjor, barazisë përpara ligjit dhe votës së lire, të goditjes shumë të fortë dhe përfundimtare të korrupsionit dhe vjedhjes së Qeverisë, të rivendosjes së lirisë së medias dhe fjalës së lirë.