Roma barazoi me Sassuolo dhe pas ndeshjes, José Mourinho u tërbua fare me një prej të tijve. Tekniku verdhekuq, në mikrofonat e DAZN, akuzon një nga lojtarët e tij dhe e etiketon atë si “tradhtar”. Special One thotë edhe më tej, duke zbuluar se i tha lojtarit të gjente një klub të ri.
Trajneri portugez pohon se skuadra luajti mirë, por u tradhtua nga një lojtar: “Një ndeshje e mirë që vjen pas dy ditësh të rënda e të vështira me njerëz të trishtuar. Roma luajti mirë, donte edhe të fitonte, por më vjen keq sepse përpjekja e një skuadre që luajti si skuadër u tradhtua nga një lojtar me sjellje joprofesioniste”.
Special One më pas bëri një krahasim me rastin Ibanez. 23-vjeçari brazilian, me një gabim i dhuroi derbin Lazio. Një gabim ekzakt. Por këtë herë për Mourinho bëhet fjalë për sjellje joprofesioniste: “Nuk kam folur kështu për Ibanez ndaj Lazio, sepse qëndrimi ishte super. Gabimi është pjesë e lojës, për qëndrimin joprofesionist dhe jokorrekt ndaj bashkëlojtarëve më vjen keq. E kam thënë tashmë në dhomat e zhveshjes dhe nuk e bëj shpesh. Pas ndeshjeve nuk flas shpesh me skuadrën. Kisha gjashtëmbëdhjetë lojtarë në fushë, më pëlqeu qëndrimi i pesëmbëdhjetëve. Nuk më pëlqeu njëri dhe e thashë”.
KUSH ËSHTË LOJTARI?
Mourinho, pas ndeshjes, u tërbua dhe u bashkua menjëherë me skuadrën në dhomat e zhveshjes për t’u përballur me ‘tradhtarin’: “Zor se shkoj ndonjëherë në dhomat e zhveshjes. Por hyra direkt për t’ia thënë të gjithëve. Hodha në fushë 16, nuk ju them kush është, por njëri është tradhëtar. I kërkova të largohet në janar, por e di që nuk do ta bëjë”.
Por për kë po flet Mourinho? Të dhënat, siç tregohet nga Corriere dello Sport, duket se çojnë te Karsdorp, i cili zëvendësoi Celik. Pas avantazhit të Abraham, shihet se holandezi nuk është shumë i përqendruar me Laurentié deri në golin e Sassuolo. Por jo vetëm kaq. Cristante, kur rezultati ishte ende 0-0, debatoi me të sepse nuk po luftonte si duhej.