Nga Gentian Ruko – Dhe misionin për kthimin e qetësisë së grabitur Lefter Shehaj, je Prefekti i Fierit, prej 8 muajsh. Nëse nuk e di, sepse nuk e ke lexuar, apo nuk t’a kanë bërë të ditur (asnjë nuk është justifikim), po të ndihmoj: je drejtuesi i task-forcës “në nivel qarku, për marrjen e masave të menjëhershme për përballimin e situatës së krijuar nga ushtrimi i aktiviteteve ekonomike, që gjenerojnë zhurmë tej normave të lejuara në qendrat urbane, zonat turistike dhe bregdetare.”
Bëhet fjalë për ligjin nr. 79/2012 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 2, datë 25.7.2012, të Këshillit të Ministrave “Për krijimin e Task-Forcës…”.
I takon task-forcës, në çdo ditë të javës, të ndalojë “ushtrimin pas orarit të lejuar të veprimtarive të subjekteve, fizike e juridike, të cilat janë burim zhurme, si dhe në rastet e njoftimit nga institucionet shtetërore apo komuniteti për tejkalim të normave të lejuara të nivelit të zhurmës në mjedis.”
”Për mjediset e hapura, orari i lejimit të veprimtarive për ditët e premte dhe të shtunë” është “nga ora 19:00 deri në orën 24:00, ndërsa për ditët e tjera të javës” është “nga ora 19:00 deri në orën 23:30, sipas normave të lejuara të zhurmës, të përcaktuara në udhëzimin e përbashkët nr.8, datë 27.11.2007 të Ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe të Ministrit të Shëndetësisë “Për nivelet kufi të zhurmave në mjedise të caktuara”.
Çfarë kuptimi ka? Do të thotë që nuk mund të ketë muzikë në pjesët e jashtme të lokaleve, gjatë ditës, deri në orën 19. Por, edhe pas orës 19, zhurma ka masë.
Lefter, ti ke detyrë të drejtosh grupin e përbërë nga:
a) kryetari (drejtori) i Agjencisë Rajonale të Mjedisit në nivel qarku;
b) inspektorë të njësive inspektuese të Inspektoratit të Mjedisit në nivel qarku;
c) punonjës të shërbimeve të Policisë së Shtetit;
ç) inspektorë të policisë së bashkisë ose komunës, sipas juridikisonit territorial përkatës;
d) specialistë të Institutit të Shëndetit Publik dhe të strukturave vendore të shëndetit publik;
dh) përfaqësues të prefektit të qarkut.
Ju takon ju, Prefekt, t’ju bëni të qartë që “moskryerja e detyrës së ngarkuar nga punonjësit e strukturave të lartpëmendura konsiderohet shkelje e rëndë disiplinore dhe përbën shkak për fillimin e procedurave të largimit nga detyra”.
Në fakt, Lefter, ka një paketë të plotë legjislacioni për mbrojtjen e popullsisë nga zhurmat, baza e të cilës, përfshirë aktin normativ dhe udhëzimin Nr. 259, datë 30.7.2012 të Ministrit të Brendshëm – po ju ndihmoj përsëri:
ligj Nr.9774, datë 12.7.2007 “Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis”; vendim i Këshillit të Ministrave Nr. 587 datë 07.07. 2010 “Për monitorimin dhe kontrollin e nivelit të zhurmave në qendrat urbane dhe turistike”; Udhëzim Nr.8, date 27.11.2007 “Për nivelet kufi të zhurmave në mjedise të caktuara” dhe udhëzim nr.2, datë 7.1.2013 i Ministrit të Mjedisit.
Edukojini njerëzit e natës që, duke filluar nga ora 23 deri në orën 6 të mëngjesit, është orë gjumi. Prandaj, zhurmat në këtë interval konsiderohen kundërvajtje dhe dënohen, duke iu referuar ligjit të posaçëm (2007, neni 10).
Nga ana tjetër, Prefekt, e dimë që, pavarësisht dhe mbi të gjitha këto, është neni 274 i Kodit Penal “Prishja e qetësisë publike”: “… krijimi i zhurmave shqetësuese (…) apo çdo lloj tjetër sjelljeje të papëlqyeshme, në rrugë, sheshe e vende publike, që cenojnë dukshëm qetësinë e moralin apo tregon mospërfillje të hapët për mjedisin, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.”
Nuk mund të mbyllen veshët e sytë më ndaj katrahurës, veçanërisht në fundjavë, në qendër të qytetit.
Terrori i poteremëdhenjve ndaj qytetarëve duhej të kishte marrë fund me kohë. Kërkohet veprim i menjëhershëm dhe pa dallim.
Lokalet nuk janë diskoteka, të cilat rinia e qytetit i braktisi dekada më parë. Nëse ka kërkesa përsëri, lejohet të hapen të tilla, por pasi të plotësojnë kushtet ligjore, si kudo në botë.
Një porosi të veçantë për të ashtuquajturin “Parku Qendror” i Fierit. Është në mëshirë të fatit nga krijimi i tij, në 2017. Në vitet 2019 – 2020, i ngjante një çmendine, prej ulërimave dhe britmave të grupeve të adoleshentëve, ditën dhe natën.
Ka gjithmonë probleme dhe duhet të patrullohet rregullisht. Kjo mbetet një kërkesë tashmë e hershme e komunitetit. Asnjë person dhe për asnjë arsye nuk mund të lejohet të prishë qetësinë e banorëve.
Edhe diçka, Lefter: thirre Mandin e Fierit dhe sugjeroji të ndjekë shembullin e Parkut Qendror të New York. Që të jemi të qartë, parku i Fierit ka huazuar vetëm emrin e Central Park të Amerikës.
Është ide e mirë të huazojnë qoftë dhe një normë nga parku i vërtetë, pra, nga ai gjiganti i New York: orarin. Nëse parku i New York hapet në 6 të mëngjesit dhe mbyllet zyrtarisht në 1 të natës (në fakt, njerëzit largohen më herët), për këtë të Fierit mund të bëhet një përshtatje: të mbyllet në 24:00.
Nuk është fabul, Prefekt. Që të bindesh, po të dërgoj linkun (paragrafi “Hours”):
https://centralpark.org/faq-2/
E fundit: mund t’i sugjerosh Ministrit caktimin e “orëve të qeta të drekës”, sipas shembullit të Greqisë.
Mision të mbarë!