Pesë yje për pushtetarët, 160 euro pension për qytetarët

Nga Enri Albert Zholi
E lexova por nuk e besova! Qeveria ka përditësuar, përmes një vendimi të ri, rregullat për shpenzimet e zyrtarëve të lartë të shtetit dhe punonjësve të administratës publike gjatë shërbimeve jashtë vendit që mua më duket paksa i çmendur. Ka diçka thellësisht të padrejtë në një shtet ku qytetarit i kërkohet të kursejë çdo qindarkë, ndërsa zyrtarit të lartë i garantohen hotele me pesë yje, bileta udhëtimi dhe akomodim të paguar nga taksapaguesit.Sipas rregullave të reja për shpenzimet gjatë shërbimeve jashtë vendit, Presidenti, Kryeministri, Kryetari i Kuvendit, Zëvendëskryeministri dhe ministrat mund të akomodohen në hotele me pesë yje, ndërsa kategori të tjera zyrtarësh në hotele me katër ose tre yje. Për më tepër, dietat ditore mund të arrijnë deri në 150 euro.
Pyetja është e thjeshtë: pse?
Çfarë nevoje shtetërore kërkon që një ministër të flejë në një hotel me pesë yje? A është një hotel me katër apo tre yje i papërshtatshëm për të kryer detyrën publike? A lidhet cilësia e shërbimit ndaj shtetit me numrin e yjeve në derën e hotelit? Këto nuk janë paratë e tyre. Janë paratë e qytetarëve. Janë paratë e pensionistit që numëron ditët deri në pensionin e radhës. Janë paratë e familjes që përpiqet të paguajë ushqimet, energjinë, qiranë dhe ilaçet. Janë paratë e punëtorit që e paguan tatimin para se të marrë pagën në dorë. Prandaj, kontrasti është tronditës: qytetarit i kërkohet sakrificë, ndërsa pushtetit i sigurohet komoditet. Nuk është fjala vetëm për një natë hoteli. Nuk është as çështje zilie ndaj atij që udhëton për punë.
Zyrtarët duhet të udhëtojnë, të përfaqësojnë shtetin dhe të kryejnë detyrat e tyre. Por përfaqësimi i shtetit nuk duhet të kthehet në privilegj personal. Një zyrtar që merr votën e qytetarit duhet të ketë mbi vete një standard më të lartë përgjegjësie, jo një listë më të gjatë privilegjesh. Nëse shteti ka para për hotele me pesë yje dhe dieta deri në 150 euro në ditë, atëherë pyetja tjetër është: a ka shteti para për të rritur dinjitetin e atyre që jetojnë me të ardhura minimale? A ka para për pensionistët? Për familjet në vështirësi? Për shërbimet publike? Për spitalet? Për shkollat? Për rrugët dhe komunitetet që presin prej vitesh investime? Dhe nëse përgjigjja është se këto janë shpenzime të nevojshme për funksionimin e shtetit, atëherë le të shpjegohet publikisht pse pesë yje janë të domosdoshëm dhe pse nuk mjafton një standard më i arsyeshëm.
Shteti nuk është hotel me pesë yje për ata që e drejtojnë. Shteti është pronë e qytetarëve që e financojnë. Votat nuk u japin pushtetarëve të drejtën të jetojnë mbi mundësitë e njerëzve që i kanë votuar. Përkundrazi, vota u jep atyre një detyrim: të administrojnë me përgjegjësi paratë publike. Në një shoqëri ku shumë njerëz bëjnë llogaritë përpara se të blejnë një bukë, çdo shpenzim luksoz i paguar nga taksat duhet të justifikohet me transparencë dhe me arsye të forta.
Nuk mjafton të thuhet: “Kështu e përcakton rregullorja.” Pyetja qytetare është: kush e përcaktoi këtë rregull dhe me çfarë të drejte? Dhe mbi të gjitha: a është kjo mënyra se si duhet të sillet një shtet që kërkon sakrificë nga qytetarët e tij? Politika nuk duhet të jetë shkallë për t’u ngjitur mbi shpinën e popullit. Duhet të jetë shërbim ndaj tij. Nëse zyrtarët kërkojnë respekt nga qytetarët, duhet të tregojnë së pari respekt për paratë që qytetarët ua besojnë. Sepse paratë publike nuk kanë ngjyrë partie, nuk kanë emër ministri dhe nuk janë pronë e qeverisë. Janë paratë tona. Dhe për çdo euro të shpenzuar prej tyre, qytetari ka të drejtë të pyesë: pse?
Vendimi i çmendur
Qeveria ka përditësuar, përmes një vendimi të ri, rregullat për shpenzimet e zyrtarëve të lartë të shtetit dhe punonjësve të administratës publike gjatë shërbimeve jashtë vendit. Ky është dokumenti i rregullores së re, hyrë në fuqi në fund të korrikut dhe përcakton në mënyrë të detajuar kriteret për udhëtimin, akomodimin dhe dietat ditore. Sipas rregullores, Presidenti i Republikës, Kryeministri, Kryetari i Kuvendit, Zëvendëskryeministri dhe ministrat do të akomodohen në hotele me pesë yje. Deputetët, sekretarët e përgjithshëm të ministrive dhe drejtorët e përgjithshëm do të qëndrojnë në hotele me katër yje, ndërsa punonjësit e tjerë të administratës publike do të akomodohen në hotele me tre yje.
Për arsye sigurie, efektivët e Gardës së Republikës që shoqërojnë personalitetet shtetërore mund të akomodohen në të njëjtin hotel me personin që ruajnë, pavarësisht kategorisë së hotelit. Vendimi përcakton gjithashtu edhe masën e dietave ditore për udhëtimet jashtë vendit. Presidenti i Republikës, Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit përfitojnë një dietë nga 120 deri në 150 euro në ditë. Për ministrat dhe Zëvendëskryeministrin, dieta varion nga 80 deri në 120 euro në ditë.
Deputetët, zëvendësministrat dhe sekretarët e përgjithshëm përfitojnë 70–80 euro në ditë, ndërsa drejtorët e përgjithshëm dhe ambasadorët 50–60 euro. Për nëpunësit e tjerë të administratës, dieta ditore është përcaktuar në masën 45–55 euro. Një tjetër ndryshim lidhet me mënyrën e pagesës së shpenzimeve. Biletat e udhëtimit dhe akomodimi në hotel do të rezervohen dhe paguhen drejtpërdrejt nga institucioni përkatës. Ndërkohë, zyrtarëve do t’u transferohet në llogarinë bankare, përpara nisjes, vetëm shuma e parashikuar për shpenzimet ditore.










