Monday, March 4, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËOPINION/ ANALIZËPolitikanët shqiptarë më të paguarit në rajon, punëtorët të fundit

Politikanët shqiptarë më të paguarit në rajon, punëtorët të fundit

Me rritjen e fundit, paga mujore bruto e presidentit shqiptar të Republikës bëhet 7 herë më e lartë se paga mesatare mujore në vend, duke shënuar një rekord në rajon. Presidenti i dytë pas Shqipërisë, ai i Maqedonisë së Veriut, e ka këtë diferencë 4.8 herë. Në një vit Presidenti do të shpërblehet rekord në rajon edhe në raport me të ardhurat për frymë të shtetasve shqiptarë, me 5.5 herë më shumë nga 3.9 që është mesatarja rajonale. Ndërkohë, në 2022, paga mesatare në vend ishte 41% më e ulët se ajo e Serbisë e Malit të Zi dhe gati 30% më pak se e Maqedonisë së Veriut

Nga Ornela Liperi

Në një garë të ethshme rajonale, Kryeministri i Shqipërisë ka “premtuar” se paga mesatare rajonale në sektorin shtetëror do të shkojë 900 euro brenda dy viteve, duke shpresuar se kjo do të tërheqë edhe privatin.

Por, pjesa më e madhe e vendeve të rajonit e kanë tashmë pagën në këto nivele, si për sektorin shtetëror ashtu dhe atë privat, duke e bërë që në nisje të humbur këtë garë rajonale, teksa i gjithë rajoni, përveç Shqipërisë dhe Kosovës, në vitin 2022 i rriti pagat në vlerë nominale me ritme dyshifore.

Por, jo e gjithë gara me rajonin mund të quhet e humbur. Përkundrazi, në nivelin e pagës së krerëve të shteteve, duket se ata që dalin të fituar janë krerët e shtetit shqiptar.

Në ligjin e fundit, ata e shpërblyen vetveten me pothuajse dyfishim të pagave, duke kryesuar rajonin në vlerë nominale (neto), por duke thelluar edhe diferencën me qytetarët që i kanë mandatuar ata dhe që sot kanë të ardhurat më të ulëta për frymë në rajon, së bashku me Kosovën.

Të dhënat e përpunuara nga “Monitor”, bazuar në të ardhurat bruto të presidentëve, pagën mesatare mujore në ekonomi dhe të ardhurat përkatëse për frymë tregojnë se me rritjen e fundit, paga mujore bruto e presidentit shqiptar të Republikës bëhet 7 herë më e lartë se paga mesatare mujore në vend, duke shënuar rekord në rajon.

Presidenti i dytë pas Shqipërisë, ai i Maqedonisë së Veriut, e ka këtë diferencë 4.8 herë.

Presidenti, në një vit do të shpërblehet rekord në rajon edhe në raport me të ardhurat për frymë të shtetasve shqiptarë, me 5.5 herë më shumë, nga 2.1 herë që është ky tregues në Serbi, që ka sot pagën më të lartë mesatare në rajon, të ardhurat më të larta për frymë, por shpërblimin më të ulët për presidentin.

Fondi Monetar Ndërkombëtar pret që ekonomia shqiptare të rritet me 2.2% në vitin 2023, pak a shumë në mesataren rajonale dhe më poshtë se Mali i Zi dhe Kosova, që pritet të zgjerohen me mbi 3%.

Një zgjerim i tillë nuk pritet ta përshpejtojë procesin e konvergjencës (rritje me ritme më të shpejta për të kapur mesataren e BE-së) as me rajonin, jo më me shtetet e tjera të Europës, duke rrezikuar ta lërë sërish vendin me të ardhurat më të ulëta në rajon, në raport me mesataren e BE-së, që sot janë në 32%, sipas Eurostat, më e ulëta me përjashtim të Kosovës.

Në këtë rrugë që ka zgjedhur, me lëvizje të imponuara, pa asnjë sinjal apo masa për rritje të shpejtë ekonomike, qeveria është sërish e destinuar që hasë pengesa që do t’ia ngadalësojnë hapin, apo mund ta rrëzojnë në gropat që mund të hapen në asfaltin e dobët.

Rritja e pagës, e pashoqëruar me produktivitetin, rrezikon rikthimin e inflacionit të lartë, ndërsa “reforma” nuk bën asgjë për të zgjidhur problemet madhore të ekonomisë, si konkurrueshmëria e ulët rajonale, mungesa e rregullave të lojës, mostërheqja e investimeve me vlerë të shtuar dhe sidomos, rënia natyrale e popullsisë, që e shoqëruar me emigracionin e lartë janë rreziqet më të mëdha në afatin e gjatë.

Ndaj, gara e nisur nga “inati” rajonal për rritjen e pagës është e destinuar të dështojë, pa nisur ende!

Burimi: FMN
Burimi: FMN
Burimi: FMN
Burimi: FMN

Pagat e presidentëve, kryeson Maqedonia e Veriut për bruto dhe Shqipëria për neto

Presidentët e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, pas rritjeve të fundit, kryesojnë në rajon për pagat më të larta.

Për presidentin shqiptar, paga mesatare mujore bruto është rritur në 425 mijë lekë, ose rreth 3800 euro, ndërsa ajo neto llogaritet në 2800 euro.

Një muaj më parë, edhe Maqedonia e Veriut, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese vendosi të rrisë pagat e funksionarëve me 78%. Presidenti maqedonas paguhet tashmë 2400 euro neto në muaj, nga 1500 euro më parë, ndërsa paga bruto është më e lartë se e atij shqiptar, në gati 3700 euro.

Presidenti i Malit të Zi merr 2420 euro neto dhe 3400 bruto. Më pas renditen tre presidentët e Bosnjë-Hercegovinës me rreth 2 mijë euro neto secili (3100 euro bruto).

Më i nënpaguari në rajon është presidenti i Serbisë, që në janar iu rrit paga neto në 1700 euro (rreth 2200 euro bruto).

Të dhënat janë marrë pas kërkimeve të “Monitor” me gazetarët e vendeve përkatëse dhe mediave rajonale, si dhe llogaritjeve për pagat neto apo bruto në kalkulatorin e pagave për vendet përkatëse.

Burimi: Kërkimet e monitor me gazetarët e vendeve përkatëse dhe mediat rajonale për pagat e presidentëve, përpunime të Monitor për pagat bruto dhe neto

Paga mesatare në rajon, në 2022 u thellua diferenca në disfavor të Shqipërisë, kryeson Serbia

Shqipëria dhe Kosova kishin pagën më të ulët mesatare në rajon në vitin 2022, me rreth 520 euro secila (bruto). Të dy shtetet kishin rritjen më të ulët dhe në përqindje, me 7.6 dhe 8.3% përkatësisht, sipas të dhënave zyrtare nga institutet statistikore përkatëse.

Në krahasim me tremujorin e tretë 2022, kur “Monitor” publikoi krahasimin rajonal të pagave, rajoni ka ecur sërish më shpejt. Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina shënuan rritje dyshifrore të pagës së tyre mesatare.

Serbia është shteti që po “fiton” në garën rajonale të pagave, që për vitin 2022 ishte mesatarisht 880 euro, ndërsa në dhjetor 2022, kërceu afër nivelit prej 1000 eurosh bruto (983 euro), sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave i Serbisë.

Burimi: Institutet statitikore të shteteve përkatëse, përpunime të Monitor
Burimi: Institutet statitikore të shteteve përkatëse; kosova e publikon pagën mesatare vetëm vjetore

Në raport me të ardhurat për frymë të popullsisë dhe pagën mesatare në vend, presidenti shqiptar është më i superpaguari në rajon

“Jam shumë i lehtësuar për hir të së vërtetës, sepse vijmë për të kaluar një projekt, të cilin kemi dashur ta kalojmë vite më parë dhe për të cilin kem luftuar çdo ditë të këtyre viteve. E kemi marrë këtë vend, kur tabela e klasifikimit ishte si vijon; 259 euro paga mesatare, ndërkohë që Kosova e kishte 444 euro, Maqedonia e Veriut e kishte 504 euro, Serbia e kishte 537 euro dhe Mali i Zi, 726 euro.

Kemi qenë jo thjesht të fundit, por të fundit me diferencë. Sot tabela është si vijon. Kosova, 504 euro; Maqedonia e Veriut, 705 euro; Serbia, 763 euro; Bosnjë-Hercegovina, 890 euro; Mali i Zi, 792 euro dhe me votimin e sotëm, ne i hapim rrugë një procesi që në harkun e këtij viti që vjen, pra në prillin e ardhshëm na çon në 900 euro pagë mesatare”, deklaroi kryeministri Rama gjatë seancës së Kuvendit që miratoi ligjin e ri të pagave.

Në fakt, të dhënat e instituteve statistikore përkatëse të vendeve të rajonit konfirmojnë se Shqipëria dhe Kosova kanë pagat më të ulëta të aktivitetit.

“Administrata publike dhe mbrojtja; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale”, me rreth 600 euro në vitin 2022, ndërsa në shtetet e tjera, pagat në sektorin e administratës, arsimin e shëndetësinë luhaten midis 800-1000 euro në muaj bruto.

Shqipëria ka pagat më të ulëta edhe të mjekëve e arsimtarëve, sipas publikimit të mëparshëm të “Monitor” për pagat rajonale, kur të dhënat ishin të disponueshme për 9-mujorin 2022.

Burimi: Institutet statitikore të shteteve përkatëse, përpunime të Monitor

Më të fituar dalin qeveritarët, që ia rritën me shpejtësi dhe me ritme të larta pagën vetes (ndonëse e shtynë hyrjen në fuqi të ligjit).

Të dhënat e përpunuara nga “Monitor” tregojnë se pas rritjes, paga bruto e Presidentit të Republikës do të jetë rreth 3600 euro, që në krahasim me pagën mesatare në vend në vitin 2022 (520 euro) është gati 7 herë më e lartë, duke thelluar ndjeshëm diferencën mes një të punësuari mesatar dhe një funksionari të lartë. Shteti i dytë me diferencën më të lartë është Maqedonia e Veriut (4.8 herë), i ndjekur nga Kosova, me 4.1 herë dhe në fund është Serbia, me 2.5 herë.

Edhe në raport me të ardhurat për frymë, presidenti i Shqipërisë sërish ka kapur rekordin, teksa paga e tij vjetore neto është 5.5 herë më e lartë se të ardhurat mesatare vjetore për frymë të shtetasve shqiptarë, nga 3.9 herë që është mesatarja e rajonit. I dyti është Kosova, 4.5 herë, për shkak të nivelit të ulët të të ardhurave të shtetasve të tij (më të ulëtat në rajon).

Ndonëse Serbia po e fiton garën rajonale të pagës mesatare, duke e çuar atë në gati njëmijë euro në fund të 2022, presidenti i saj është më i nënpaguari, në raport me atë që fitojnë shtetasit serbë, me 2.1 herë më shumë.

Burimi: Institutet statitikore të shteteve përkatëse, përpunime të Monitor
Burimi: Të dhënat zyrtare, kërkimet e monitor me gazetarët e vendeve përkatëse dhe mediat rajonale për nivelin e pagave, fmn për të ardhurat për frymë, përpunime të Monitor

Maqedonia e Veriut i rriti pagat e funksionarëve publikë me 78%

Në prill të këtij viti, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, funksionarët e Maqedonisë së Veriut përfituan një rritje page prej rreth 78%, sipas raportimeve nga telegrafi.com, që për drejtuesit kryesorë do të thotë rreth një mijë euro më shumë.

Rritje më të madhe do të kenë presidenti Stevo Pendarovski, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, si dhe kryeministri, Dimitar Kovaçevski, përcjell Telegrafi në Maqedoninë e Veriut.

Sipas llogaritjeve të reja të pagave, Kryetari i Kuvendit do të jetë politikani me pagën më të madhe në vend, e cila do të jetë 166 mijë dinarë (2.698 euro), neto.

1500 dinarë (25 euro) më pak do të marrë presidenti i shtetit, ndërsa paga mujore e kryeministrit do të jetë 156 mijë dinarë (2.535 euro).

Paga e zv.kryeministrave, me rritjen e re, do të jetë nga 122 mijë dinarë (1950 euro) deri në 129 mijë dinarë (2.096).

Një pjesë e sindikatave theksuan se nuk është njerëzore që në kushte kur punëtorët e thjeshtë e kalojnë muajin me vështirësi, pagat e funksionarëve të rriten në këtë mënyrë.

Paga minimale në Maqedoninë e Veriut që nga muaji mars 2023 arrin në 20 mijë dinarë (325 euro), neto.

/Marrë nga Revista Monitor/ linku: https://www.monitor.al/shformimi-i-pagave-punonjesit-shqiptare-me-te-uleten-ne-rajon-qeveritaret-rekord-ne-raport-me-te-ardhurat-per-fryme/ 

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME