Premçi/ “Vendi duhej të ishte djegur flakë nga vjedhjet e hajdutëve me kollare”

Politikani dhe ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, Shemsi Premçi i ftuar në një studio televizive, foli mbi dy dosjet që tronditën opinionin publik ditën e sotme, me 8 urdhër-arreste të lëshuara lidhur me abuzimet me tenderat e AKSHI-t dhe kërkesa e SPAK-ut drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
“Nëse shqiptarët duan që të mësojnë për vjedhjet që u ka bërë ky sekt që quhet Rilindja që nga tërmeti, më pas me pandeminë janë vjedhje që nuk janë bërë në asnjë vend të botës së tretë.
Për një fakt shumë të thjeshtë: Shpikën tendera pa garë, tendera sekret dhe puseta më e zezë e gjithë kësaj është AKSHI dhe Ministria e Infrastrukturës, përfshi këtu ARRSH-në dhe kompanitë e rrjetit energjetik shqiptar.
Miliarda janë, pasi nuk ka më miliona. Kjo sepse fakti që në një koncesion vetëm pazari për procedurën e tenderit luhet 82 milionë euro. Nuk flasim pastaj për ata që janë përdorur, apo se çfarë cilësie ka tuneli Llogarasë, po ashtu lotet te Unaza e Madhe, Eco Parku, apo me çështje të tjera”, u shpreh ndër të tjera Shemsi Premçi.









