Monday, November 25, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËPresidenti Begaj lë pikpyetje në vizitën e parë në Kosovë

Presidenti Begaj lë pikpyetje në vizitën e parë në Kosovë

Mjeshtëria për të folur, pa thënë asgjë do t’i shërbejë presidentit Bajram Begaj si mekanizëm mbrojtës ndaj projektimit që i bëhet si zgjatim i qeverisë në presidencë. Si zgjedhje personale e kryeministrit, Begaj ia dedikon postin ekskluzivisht Edi Ramës.

Por duke folur pa thënë asgjë në vizitën e parë në Kosovë, Bajram Begaj la pas pikëpyetje të forta, mbi idetë apo qëndrimet e presidentit për çështje të dorës së parë, të cilat ai nuk mund t’i anashkalojë si të jenë hiçgjë.

Si pretekst për të mos iu përgjigjur gazetarëve, Begaj nxorri axhendën e ngjeshur me takime në Prishtinë. Ai u mjaftua me leximin e një fjalimi të shkruar paraprakisht, në deklaratën e përbashkët që pati me Presidenten Vjosa Osmani.

Politikisht shumë korrekt në fjalitë e formuluara me kujdes, Begaj qëndroi brenda kornizave të institucionit, për tema si liberalizimi i vizave me BE, për dialogun me Serbinë, për stabilitetin në rajon apo për luftën në Ukrainë.

Por tempi ushtarak i respektimit të protokolleve la të paktën dy pikëpyetje të forta për qëndrimet e presidentit të ri në raport me Kosovën.

Pikëpyetja e parë ka të bëjë me kërkesën që Vjosa Osmani e artikuloi para gazetarëve, në krah të Bajram Begajt. Ajo lëshoi një thirrje të fortë për ndihmë nga Shqipëria, në rast se Kosova hyn në luftë. Osmani tha se kishte folur me Begajn për një traktat me Shqipërinë për të reaguar në rast të cenimit të dy shteteve.

“Është me rëndësinë që me Shqipërinë, siç e diskutuam, të kemi një traktat për mbrojtje të ndërsjellë, me të cilin në mënyrë reciproke do të reagojmë në rast të cenimit të dy shteteve tona”, tha Osmani.

Presidentja tha se kjo praktikë “është në harmoni me praktikat ndërkombëtare dhe aplikohet nga shumë shtete”.

Sikur të mos ishte një metër larg Vjosa Osmanit, Bajram Begaj nuk shfaqi asnjë shenjë reagimi. As miratim, as refuzim për kërkesën e Kosovës për ndihmë. Ai lexoi fjalimin dhe u largua pa pranuar pyetjet e gazetarëve.

A ishte kjo mospërfillje një refuzim nga ana e Shqipërisë? Apo lëvizjet mekanike, prezantimi, leximi i fjalimit dhe largimi ishin programuar strikt dhe presidenti vetëm sa zbatoi procedurën, për të shmangur ndonjë lëvizje false?

Pikëpyetja e dytë ka të bëjë me Ballkanin e Hapur. Projekti ka trazuar rajonin. A e ka presidenti i Shqipërisë një qëndrim për këtë? A duhet ta kishte përmendur në fjalimin e tij?

Kjo temë ka ndarë presidentë dhe kryeministra, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Malin e Zi dhe në Maqedoninë e Veriut.

Ballkani i hapur është projekti që ka prodhuar përplasje si asgjë tjetër mes qeverisë së Shqipërisë dhe faktorit politik të Kosovës. Po aq debate ka krijuar edhe mes qeverisë shqiptare dhe partive të opozitës. Herët a vonë, Begaj duhet të artikulohet. është pro apo kundër? Sot mund të ishte dita për të dhënë qëndrimin e tij.

Por asnjë nga këto pyetje dhe të tjera të ngjashme me to nuk morën përgjigje. Presidenti foli për të mos thënë asgjë dhe ia arriti qëllimit./Lapsi.al

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME