Princ William: Nuk dua që fëmijët e mi të rriten si unë dhe Harry

Princi William ka përmendur publikisht vëllain e tij, Princ Harry, gjatë paraqitjes në emisionin e Eugene Levy në Apple TV+, The Reluctant Traveler.
I pyetur për ndjesinë e tij rreth faktit që djali i tij i madh, Princi George, 12 vjeç, një ditë do të bëhet mbret, William pranoi se ai dhe Harry kishin një fëmijëri të vështirë si anëtarë të familjes mbretërore.
“Sigurisht që dua të krijoj një botë ku djali im të jetë krenar për atë që bëjmë, një botë dhe një detyrë që vërtet ndikon pozitivisht në jetët e njerëzve,” tha ai.
“Por kjo vjen me një kusht – shpresoj të mos kthehemi te disa nga praktikat e së kaluarës, me të cilat u rritëm unë dhe Harry – dhe do bëj gjithçka që të mos shkojmë pas në atë drejtim.”
Princi i Uellsit theksoi gjithashtu se dëshiron të sjellë ndryshime për fëmijët e tij.
“Ndryshime për të mirë,” theksoi William. “Dhe e përqafoj këtë, më pëlqen ideja e ndryshimit – nuk kam frikë prej tij. Pikërisht kjo më emocionon: mundësia për të sjellë disa ndryshime.”
Sidoqoftë, ai sqaroi se nuk synon ndryshime “shumë radikale”, por ato që janë të nevojshme për të ecur përpara.
Princi Harry ka qenë në konflikt me familjen mbretërore që nga vendimi i tij dhe Meghan Markle për të hequr dorë nga rolet mbretërore në vitin 2020 dhe për tu zhvendosur në SHBA.
Ai ka shprehur publikisht pakënaqësitë e tij në intervistën me Oprah Winfrey në 2021, në dokumentarin e Netflix në 2022 dhe në librin e tij “Spare” të publikuar në vitin 2023.
Megjithatë, në një intervistë për BBC në maj, Harry shprehu dëshirën për pajtim me familjen: “Do të doja një pajtim me ta.”
Gjatë një vizite të fundit katër-ditore në Mbretërinë e Bashkuar, Harry pati një takim 53-minutësh me babanë e tij, Mbretin Charles, por nuk u takua me vëllain e tij William.
Pallati Kensington njoftoi se Princi i Uellsit ishte i zënë me angazhime mbretërore gjatë gjithë kohës, duke shuar çdo shpresë për një takim mes vëllezërve.
Sipas ekspertes mbretërore Hilary Fordwich, William heziton të pajtohet me Harry-n për shkak të një “mungese të vazhdueshme besimi” ndaj Markle.
“Shqetësimet e tyre janë të bazuara,” tha ajo për Fox News Digital. “Çdo bisedë private familjare mund të bëhet publike ose të përdoret për projekte komerciale.












