OP/ AN

Televizionin Publik e shkatërruan PD dhe PS

Nga Nikoll Lesi

Kur Taulant Balla deklaron se Radio Televizioni Shqiptar nuk është bërë kurrë televizioni publik që shqiptarët meritojnë, ai nuk thotë asgjë të re. Këtë e dinë prej kohësh miliona shqiptarë që paguajnë çdo muaj taksën e RTSH-së përmes faturës së energjisë elektrike.

Por pyetja që lind është e thjeshtë: Kush e katandisi RTSH-në në këtë gjendje?

Mos vallë qytetarët?

Mos vallë gazetarët?

Jo.

RTSH-në e shkatërroi politika.

E shkatërruan të gjitha qeveritë, pa përjashtim. E trajtuan si pronë partie dhe jo si pronë të publikut. E kthyen në një institucion ku ndryshonte pushteti dhe bashkë me të ndryshonin drejtorët, bordet, drejtuesit, administrata dhe një pjesë e stafit. Profesionalizmi u zëvendësua shpesh nga besnikëria politike.

Partia Demokratike e përdori kur ishte në pushtet.

Partia Socialiste bëri të njëjtën gjë kur erdhi në qeveri.

Në vend që RTSH të bëhej BBC-ja shqiptare, u shndërrua në një institucion që i shërbeu pushtetit të ditës. Ndërsa televizionet private zhvilloheshin, televizioni publik mbetej peng i politikës dhe i emërimeve partiake.

Është paradoks që institucioni me arkivin më të madh audioviziv të kombit, me historinë më të pasur televizive shqiptare dhe me financim të garantuar nga taksapaguesit, sot nuk arrin të jetë media më e besueshme dhe më e ndjekur në vend.

Brenda RTSH-së ka pasur dhe ka gazetarë, operatorë, regjisorë e profesionistë të shkëlqyer. Ata nuk janë problemi. Problemi ka qenë drejtimi politik i institucionit. Zëri i profesionistëve është zbehur përballë interesave të pushtetit.

Po aq shqetësues është fakti se, ndër vite, RTSH nuk ka arritur gjithmonë të ushtrojë plotësisht rolin që ligji i njeh për transmetimin e disa ngjarjeve sportive me interes të lartë publik. Kjo ka ngritur vazhdimisht pikëpyetje mbi mënyrën se si janë administruar interesat e televizionit publik dhe nëse prioritet ka qenë interesi i qytetarëve apo politika dhe interesat e tjera.

Prandaj, Taulant Balla nuk duhet të mjaftohet me kritika ndaj RTSH-së. Ai është një nga drejtuesit kryesorë të shumicës që qeveris Shqipërinë prej shumë vitesh. Kritika e tij ka vlerë vetëm nëse shoqërohet me përgjegjësi politike.

Shqiptarët nuk kanë nevojë për deklarata. Kanë nevojë për një televizion publik të lirë nga politika, me drejtues të zgjedhur për meritë dhe integritet, jo për militantizëm. Kanë nevojë për një RTSH që t’i shërbejë publikut, jo qeverisë, opozitës apo interesave të ngushta politike.

Nëse politika ka kurajën të pranojë se e ka dëmtuar RTSH-në për më shumë se tri dekada, atëherë hapi i parë duhet të jetë një kërkim faljeje para qytetarëve. Hapi i dytë duhet të jetë depolitizimi i vërtetë i televizionit publik.

Deri atëherë, çdo kritikë ndaj RTSH-së tingëllon si një politikë që ankohet për pasojat e vendimeve që vetë ka prodhuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button