Përdorimi i TikTok-ut mund të paraqesë rreziqe të ndryshme, nisur nga privatësia, e deri te rrezikimi i shëndetit mendor, për shkak të varësisë që mund të shkaktohet nga përdorimi i aplikacionit.
TikTok-u mbledh një sasi të madhe të dhënash personale nga përdoruesit e tij, duke përfshirë informacione mbi pajisjet, vendndodhjen, kamerën, mikrofonin, audion, pajisjet afër saj dhe sjelljen e përdoruesve. Këto të dhëna mund të përdoren për qëllime komerciale apo të ndahen me palë të treta, shkruan ndër të tjera REL.
Ekzistojnë shqetësime se të dhënat e mbledhura nga TikTok-u mund të përdoren nga qeveritë apo aktorë të tjerë për qëllime të padëshiruara, përfshirë mbikëqyrjen apo ndërhyrjet në privatësinë e përdoruesve.
Kush e ka ndaluar plotësisht e kush e kufizoi përdorimin e TikTok-ut?
Përderisa shumë nga vendet e Bashkimit Evropian e edhe institucionet e bllokut evropian, kanë ndaluar përdorimin e TikTok-ut në pajisje shtetërore dhe brenda institucioneve shtetërore, ka vende që kanë ndaluar plotësisht përdorimin e këtij aplikacioni.
India, Afganistani, Irani, Nepali, Pakistani janë disa nga vendet në të cilat TikTok-u është i ndaluar plotësisht.
Arsyet e ndalimit lidhen kryesisht me sigurinë kibernetike dhe përmbajtjen që ofron ky aplikacion.
Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërcënuar me ndalimin e përdorimit të këtij aplikacioni.
I shtyrë nga shqetësimet e mëdha në mesin e ligjvënësve amerikanë se Kina mund të ketë qasje në të dhënat e amerikanëve, apo t’i vëzhgojë ata përmes këtij aplikacioni, Senati amerikan e ka kaluar në prill një projektligj i cili do ta ndalojë TikTok-un në Shtetet e Bashkuara, nëse pronari i saj – firma kineze ByteDance – nuk e shet atë brenda një viti.
Kompania kineze ByteDance, e cila e ka në pronësi TikTok-un, ka thënë se nuk e ka ndër mend ta shesë aplikacionin e famshëm.