Nga – Mevlan Shanaj, aktor – regjisor

Në Korçë, në fillim të viteve ’70, kam bërë një universitet të dytë: universitetin e antikitetit.
Ishte një universitet pa auditorë, pa leksione dhe pa provime. Auditorët ishin bisedat e pafundme të përditshme mes dy burrave korçarë të moshuar, Pekua dhe Kole Pocari.

Çdo bisedë, pavarësisht nga tema, herët a vonë përfundonte te filozofët dhe mendimtarët e antikitetit.
Unë isha i ri dhe i dëgjoja me vëmendje. Çdo fjalë e tyre më mbetej në kujtesë. Aristoteli, Sokrati, Platoni, Diogjeni, Euripidi, Eskili, Sofokliu, Aristofani… Emra që i kisha njohur përmes librave dhe që i kisha studiuar në lëndën e Historisë së Teatrit Botëror, tashmë merrnin një jetë tjetër në bisedat e këtyre dy burrave.

Në universitet kisha pasur profesor një njeri shumë të ditur, Xhemal Brojën. Ai kishte një mënyrë të veçantë mësimdhënieje. Kur studenti fillonte të përgjigjej, profesori ndërhynte, zgjeronte temën dhe e kthente provimin në një bashkëbisedim. Shpesh ndodhte që ai të fliste më shumë se studenti.
Më kujtohet provimi për Aristofanin. Më kishte rënë komedia Bretkosat. Sapo fillova të përgjigjesha, profesori mori fjalën dhe përgjigjja ime u kthye në një leksion të tijin. E njëjta gjë ndodhi edhe me Euripidin. Jeta e këtij dramaturgu ishte aq e trazuar, saqë profesori e shihte të pamundur të shkëputej nga rrëfimi.

Por edhe vetë jeta e Xhemal Brojës do të merrte një kthesë të dhimbshme. Në atë kohë ishte drejtor i Teatrit Kombëtar. Më vonë u dënua dhe, pas rehabilitimit, punoi si pagator. E kujtoj të heshtur, të ulur në fund të autobusit të filmave. Ne, ish-studentët e tij, e respektonim dhe e mbështesnim përballë fatit që i ishte rezervuar.
Ndërsa Pekua dhe Kole Pocari më dhanë një tjetër lloj dijeje. Ata më dhanë universitetin e jetës.

Bisedat e tyre kishin nëntekste. Të dy kishin kaluar nëpër histori dënimesh dhe përvojash të rënda. Nuk flisnin gjithmonë drejtpërdrejt. Shpesh një citim nga antikiteti thoshte shumë më tepër sesa mund të thuhej hapur. Unë i dëgjoja dhe përpiqesha të kuptoja jo vetëm fjalët, por edhe atë që fshihej pas tyre.

Edhe sot nuk jam bindur se dënimet politike mund të kuptohen vetëm duke parë historinë e kohës sonë. Për mua, përvoja e njerëzimit, e ruajtur në antikitet, na ofron dëshmi shumë më të hershme dhe ndoshta më të thella për natyrën e pushtetit dhe të njeriut.
Më ka mbetur në mendje si një aksiomë një shprehje qe nuk di ku e kam degjuar, por jo nga ata te dy.Mes tyre kishte nje lloji humori.
«Çfarë është nën këtë diell, nuk është e panjohur.» Nuk di pse e kujtoj.

Njerëzimi i ka njohur dhe i ka provuar pothuajse të gjitha. Ndryshojnë emrat, kostumet dhe kohët, por shumë nga sjelljet njerëzore mbeten po ato. Ndryshojnë emrat e diktatorëve, por diktatura nuk zhduket. As korrupsioni, as vjedhja, as prostitucioni, as krimi, as hipokrizia, as spiunazhi dhe as mashtrimi nuk janë dukuri të shpikura nga koha jonë.

Ato kanë udhëtuar bashkë me njeriun përgjatë historisë. Në çdo epokë kanë marrë forma të reja, kanë ndërruar fytyrë, por nuk kanë humbur nga jeta e shoqërisë.
Ndoshta kjo ishte edhe arsyeja pse dy burrat korçarë i riktheheshin aq shpesh antikitetit. Ata nuk citonin filozofët vetëm për të treguar kulturën e tyre. Përmes tyre lexonin të tashmen, kuptonin pushtetin, padrejtësinë dhe dobësitë njerëzore. Antikiteti u shërbente si pasqyrë për të parë kohën ku jetonin.

Duke i dëgjuar, kuptova se historia nuk është vetëm ajo që ka ndodhur. Ajo është edhe ajo që vazhdon të ndodhë, me emra të tjerë dhe në rrethana të tjera.

Por, përtej gjithë kësaj, njeriu nuk e ka braktisur kurrë luftën për të drejtën dhe të mirën. Edhe kur përballet me padrejtësinë, me mashtrimin dhe me përsëritjen e gabimeve të historisë, ai vazhdon të kërkojë shpresën.

Kështu, në Korçë, në fillim të viteve ’70, mes dy burrave të moshuar, gjeta një universitet që nuk ma kishte dhënë asnjë institucion. Një universitet ku antikiteti nuk ishte më vetëm histori teatri apo filozofie, por një mënyrë për të kuptuar jetën.
Dhe sot, pas kaq shumë vitesh, ende më shoqëron ajo aksiomë:
Çfarë është nën këtë diell, nuk është e panjohur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts