Zjarret në Fier/ Flet shefi i emergjencave civile: Situatë kritike! Evakuuam 8 familje nga rreziku i flakëve

Shefi i emergjencave civile në prefekturën e Fierit, Kreshik Ymeraj sqaroi për gazetarët situatën me zjarret në kodrat pranë Radostinit, teksa u shpreh se pjesa kritike erdhi pas përhapjes së flakëve mesditën e sotme në fshatin Radostinë të Fierit..
Si një masë urgjente u shpreh ai, rreth 7 deri në 8 familje janë evakuuar nga autoritetet pasi zjarri ka mbërritur deri në oborret e shtëpive të tyre.
Megjithatë një pjesë e banorëve pretendojnë se ndërhyrja me helikopterë nga ajri u krye me vonesë, çka lejoi përparimin e flakëve.
Pyetje: Zoti Ymeraj, si ka nisur zjarri sotëm dhe si paraqitet situata deri në këto momente?
Kreshnik Ymeraj: Zjarri ka nisur që në mesditë, në fshatin Radostinë të Fierit. Për shkak të erës dhe terrenit të vështirë, ka marrë një përhapje edhe në zonat e tjera, ka arritur deri këtu në zonën e liqenit që i themi, në pyllin e Peshtanit. Ka prekur edhe masivin pyjor të zonës së mbrojtur këtej. Menjëherë me marrjen e njoftimit janë angazhuar strukturat vendore të Bashkisë Fier me 4 mjete zjarrfikëse për vënien në kontroll të zjarreve. Duke vlerësuar situatën, e cila ishte dhe paraqitej problematike, kemi angazhuar edhe kapacitete të tjera të bashkive fqinje. Kemi bërë kërkesë menjëherë për ndërhyrje nga ajri me qëllim që të izolojmë situatën dhe për të vënë në kontroll të zjarreve.
Situata është disi problematike për shkak se në këtë perimetër zjarri ka edhe njësi ekonomike apo dhe zona të banuara. Si masë paraprake kemi bërë evakuimin e disa familjeve, mund të jenë diku tek 7 apo 8 familje për momentin të cilat janë evakuuar si masë paraprake. Aktualisht, nga të dhënat paraprake deri më tani, nuk kemi banesa të dëmtuara, kemi thjesht prezencë të zjarreve nëpër oborre të banesave, por falë ndërhyrjes në kohë që kanë pasur mjetet zjarrfikëse apo dhe ndërhyrjes nga ajri, është bërë e mundur që deri më tani të mos kemi djegie të banesave. Situata vazhdon të jetë kritike, siç e shikoni dhe era ndryshon shpeshherë drejtime, po mundohemi me të gjitha forcat nga toka dhe nga ajri për vënien në kontroll të zjarreve
Flakët janë afruar në mënyrë të rrezikshme pranë dy lokaleve, ndërsa zjarri ka prekur kurorën mbi objektet dhe ndodhet rreth 200 metra larg tyre, duke rritur ndjeshëm rrezikun për përhapjen e flakëve drejt ambienteve të shërbimit.
Përballë situatës, Syri mëson se pronarët e lokaleve kanë nisur të largojnë stafin dhe klientët, ndërsa po nxjerrin nga ambientet edhe disa mjete dhe orendi, për të shmangur dëmet e mundshme në rast se flakët arrijnë tek objektet.
Sipas pronarëve, ndërhyrja nga ajri është tashmë e domosdoshme, pasi terreni e vështirëson ndërhyrjen tokësore dhe zjarri po avancon me shpejtësi.
Ndërkohë, forcat zjarrfikëse po vijojnë luftën me flakët, ndërsa policia ka rrethuar zonën dhe po largon njerëzit nga perimetri i rrezikut, për të shmangur çdo incident apo dëmtim të mundshëm.
Pronarët e lokaleve apelojnë për një ndërhyrje urgjente nga ajri, duke paralajmëruar se nëse flakët nuk frenohen në kohë, dy lokalet mund të përfshihen nga zjarri dhe të pësojnë dëme të konsiderueshme.
Pyetje: Vetëm një helikopter po operon?
Kreshnik Ymeraj: Aktualisht janë dy helikopterë që po operojnë, një në pjesën veriore dhe një në pjesën veriperëndimore të vatrës së zjarrit.
Pyetje: Ndërhyrja nga ajri, nga banorët është cilësuar si e vonuar.
Kreshnik Ymeraj: Ndërhyrja nga ajri nuk është e vonuar, sepse ndërhyrja nga ajri ka filluar që kur vatrat e zjarrit kanë qenë në zonat e tjera në fshatrat e luginës e këtej dhe për shkak të ecurisë dhe për shkak të panikut apo për shkak të frikës që kanë qytetarët, mund ta konsiderojnë dhe si ndërhyrje të vonuar.










