Zjarri në Fier-Levan, flakët rrezikojnë banesat dhe pyllin e Peshtanit të Vogël

Në një raportim në Syri TV, gazetari Xhemil Beharaj ka sjellë detaje nga situata e rëndë e krijuar nga zjarri në aksin Fier-Levan.
Zjarri, që nisi mesditën e sotme në zonën e Radostinës, në vendin e njohur si “Fiq”, është përhapur me shpejtësi nëpër kodra dhe gryka, i favorizuar nga era e fortë.
Flakët kanë kapërcyer rrugën e asfaltuar dhe linjën hekurudhore Fier-Vlorë, duke avancuar në drejtim të pyllit të Peshtanit të Vogël. Dhjetëra hektarë me ullishte dhe pisha janë përfshirë nga zjarri.
Gazetari raporton se flakët janë afruar rreth 100 metra nga rruga kryesore, ndërsa në rrezik ndodhen banesa, lokale, një fabrikë vaji dhe një pikë karburanti.
Për shkak të situatës, policia ka evakuuar banorët e banesave pranë vatrave të zjarrit, ndërsa ka urdhëruar edhe boshatisjen e lokaleve dhe shërbimeve përgjatë aksit nga Qafa e Koshovicës drejt Levanit.
Ndërkohë, policia ka bllokuar qarkullimin e automjeteve në të dyja drejtimet e aksit Fier-Levan, për shkak të rrezikut nga flakët.
Në terren ndodhen forcat zjarrfikëse, ndërsa për shuarjen e zjarrit është kërkuar edhe ndërhyrja nga ajri. Një helikopter ka mbërritur në zonë dhe ka kryer ndërhyrjen e parë me ujë, përpara se të rikthehej për furnizim.
Deri në momentin e raportimit, nuk raportohet për banesa apo lokale të përfshira nga flakët, por rreziku mbetet i lartë për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarrit dhe erës së fortë.
Gazetari Xhemil Beharaj tha se flakët vijojnë të përparojnë dhe po afrohen drejt pyllit të Peshtanit të Vogël, ndërsa strukturat e emergjencës po punojnë për të mbajtur nën kontroll situatën.










