EKONOMITOP-NEWS

“4 miliard dollarë, projekt që nuk u miratua” ministrja pranon shifrat e rreme për Zvërnecin

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se qeveria shqiptare ende nuk ka një projekt të miratuar për zhvillimin e zonës së Zvërnecit, duke theksuar se aktualisht procesi ndodhet vetëm në fazën e studimit dhe projektimit.

Gjatë një deklarate për mediat pas mbledhjes së qeverisë, Ibrahimaj tha se protestat kundër investimit janë shoqëruar me një sqarim të vazhdueshëm nga ekzekutivi se ende nuk ekziston një projekt përfundimtar.

“Prej fillimit të protestave kemi bërë të qartë dhe transparente që nuk kemi ende një projekt për zhvillimin e zonës së Zvërnecit. Janë duke punuar arkitektë të njohur, studiues dhe inxhinierë që merren me studimin e ndikimit në mjedis. Ashtu siç kemi sqaruar disa herë publikun, jemi në fazë të studimit dhe projektimit. Qeveria shqiptare nuk ka një projekt final që mund të ndajë me publikun”.

Ministrja theksoi se çdo propozim që do të paraqitet në të ardhmen do t’i nënshtrohet vlerësimit sipas standardeve europiane për mbrojtjen e mjedisit.

“Në momentin që do të vijë një propozim, shqetësimi ynë kryesor është plotësimi dhe respektimi i standardeve të ndikimit në mjedis.

Është në qëllimet tona që projekti të miratohet, projekti të vazhdojë sipas standardeve të BE-së. Ne kemi një proces të nisur me BE-në, një kalendar detyrash shumë të mirëpërcaktuar, dhe specifikisht legjislacionin për mbrojtjen e mjedisit. Në momentin që do të na vijë një projekt, do të analizohet dhe do të bëhet transparent. Ne duam që një projekt i kësaj përmase financiare të vijë në Shqipëri, jo vetëm për ndikimin në ekonomi, por edhe për imazhin në turizëm. Ne jemi mbështetës të vijimit të projektit”, u shpreh Ibrahimaj.

E pyetur mbi vlerën e investimit, i cili më herët është përmendur si një projekt prej 4 miliardë eurosh, ministrja sqaroi se projekti i paraqitur fillimisht nuk është miratuar nga institucionet përgjegjëse.

“4 mld euro ka qenë një projekt që është dorëzuar më parë, dhe nuk është miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, sepse nuk plotësonte standardet për çështjet e intensitetit të ndërtimit, të ndikimit të mjedisit. Vendimit e KKT-së janë bërë tarsparente bashkë me arsyet e rrëzimit.

Nuk e dimë se sa do të jenë vlera e projektit që do të vijë për miratim”, pohoi ajo.

Deklaratat e ministres vijnë vetëm pak ditë pasi Parlamenti Europian, përmes një amendamenti të miratuar në rezolutën për Shqipërinë, kërkoi vendosjen e një moratoriumi për projektet e reja në zonat e mbrojtura, duke përfshirë edhe kompleksin e zonës së Vjosë-Nartë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button