Më datë 22.08.2022, në vendin e quajtur “Kanioni i Langaricës”, 4 turistë gjermanë, duke eksploruar me këmbë zonën, kanë mbetur të bllokuar në pjesën e kanionit, për shkak të rritjes së nivelit të ujit në lumin e Langaricës, nga reshjet e shiut. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet dhe shërbimet zjarrfikëse, janë nisur në drejtim të zonës ku kishin mbetur të bllokuar turistët.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet, në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse dhe punonjësit e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, kanë kontrolluar të gjithë zonën dhe kanë bërë të mundur lokalizimin e turistëve, në kanionin e Langaricës.
Falë punës së mirorganizuar dhe bashkëpunimit me shërbimet e tjera, punonjësit e Policisë kanë bërë të mundur nxjerrjen e 4 turistëve nga terreni i vështirë ku ishin bllokuar, të cilëve, më pas, u është ofruar asistenca mjekësore. Aktualisht të 4 turistët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore. Gjithashtu, Federata Shqiptare e Rafting ofroi mbështetje me pajisje të posaçme për ndërhyrjen në këto zona.