Nëse Luiza Gega u shpall kampione e Europës, peshëngritësja shqiptare, Evangjeli Veli është përjashtuar nga aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare. Bordi i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, ka dhënë sot një vendim unanim, me sportisten që rezultoi pozitiv me doping pas fitimit të Kampionatit Europian në 29 maj në Tiranë.
Deri në përgjigjen e testit të dytë, Veli është përjashtuar ndërsa ka ngrirë edhe shpërblimi për të në shumën 72 milionë lekë të vjetër. Deri në datën tetë shtator kur del testi i dytë, peshëngritja shqiptare do jetë në ankth.
Elez Gjoka, president i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes e ka drejtuar gishtin drejtpërdrejtë tek Odise Dhima, vëllai i kampionit Pirro Dhima, si personi përgjegjës i përfshirë në këtë skandal.
“I gjithë bordi i federatës ka qenë unanim. Ne i kemi thënë tashmë ‘Stop’ dopingut. Evangjeli Veli deri në përgjigjen e monstrës B, tashmë ajo është e dyshuar momentalisht, do të pezullohet nga të gjitha aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare. Kjo gjë do të bëhet me dije nga Federata Botërore e Peshëngritjes, Federata Europiane e Peshëngritjes dhe Federata e Greqisë e Peshëngritjes.
Kjo sportiste ka bërë stërvitje dhe ka qenë në kontakt me trajnerë dhe presidentin e Federatës së Peshëngritjes së Greqisë. Është fenomeni i dytë që na ndodh, është hera e dytë që na ndodh, edhe në Kazakistan, edhe tashmë në Tiranë, që sportistët që stërviten në Greqi, na vijnë dhe kapen me doping”.