Greqi – Detaje të reja janë bërë me dije nga shpërthimi i fuqishëm që ndodhi këtë të dielë në një fermë peshku në Prevezë, në zonën e Kanallakit, në Greqi, ku humbën jetën dy persona si dhe u plagos rëndë një i tretë.
Mediat greke bëjnë me dije se viktimat janë 39-vjeçari grek Gerasimos Fatouros, babai i tre fëmijëve si dhe një 40-vjeçar me origjinë nga Shqipëria.
Raportohet se trupi i 39-vjeçarit grek u gjet i ndarë më dysh. Ndërkohë që gruaja e tij në momentin që mori vesh lajmin e rëndë ka pësuar gjendje të fikti dhe është dërguar me urgjencë në spital.
Gruaja e tij 37-vjeçare kishte humbur dy motrat e saj në një aksident automobilistik disa vite më parë dhe tani ajo po përballet me një tragjedi të re.
Dy viktimat po kryen saldim elektrik kur ndodhi shpërthimi tragjik. Ata u plagosën rëndë dhe ndërruan jetë pak më pas.
Gjithçka ka ndodhur brenda pak minutash, ndërsa ngjarja tragjike mësohet se ka ndodhur për shkak të një shpërthimi në bombola gazi.
Shpërthimi ka qenë aq i fuqishëm sa ka nxjerrë nga banesat banorët e zonave përreth. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur autoambulancat dhe ekipet zjarrfikëse që kanë nisur operacionin e shpëtimit.