Fier – Drejtori i Doganës Fier, Arlind Lagji, ka dhunuar dhe kërcënuar me jetë një qytetar, me bashkëshorten e të cilit ka pasur një lidhje jashtëmartesore.
Pas denoncimeve në organet përkatëse, për Algert Belulaj i është drejtuar medias duke kërkuar ndihmë. Në një audio-regjistrim, shefi i Doganave në Fier kërcënon qytetarin, duke i thënë se është nip i Orik Shytit, anëtari i së ashtuquajturës “Hakmarrja për drejtësi”. Ai deklaron se kreu i Doganave e ka dhunuar atë pasi, sipas denoncuesit, e ka parë në makinë me ish-bashkëshorten e tij. Algert Belulaj thotë se tradhtia ka ndodhur kur ai ishte ende i martuar me gruan e tij.
“Kam dashur të pi kafe me bashkëshorten time në atë kohë sepse nuk e kisha të faktuar lidhjen jashtëmartesore. Kam qenë me një shok. Kam marrë në telefon ish-bashkëshorten. Ajo nuk m’u përgjigj. Më mori Arlindi, më tha të pimë një kafe për të sqaruar se unë nuk kam asgjë me ty. Kemi vajtur në një lokal në Fier ku më ka futur në kurth bashkë me dy persona të tjerë, që nuk i njoh e më ka dhunuar. Arlind Lagji më ka drejtuar armën. Personi që del nga makina është Arlind Lagji dhe në makinë me të ka qenë ish-gruaja ime”, thotë ai.
Gjatë një audio-incizimi të publikuar nga “Syri”, kryedoganieri kërcënon qytetarin.
BISEDA E PLOTË:
Drejtori i Doganës Fier, Arlind Lagji: Unë në jetë nuk kam bërë turp.
Algert Belulaj: Ç’është kjo që bëre ti me një grua të martuar?
Drejtori i Doganës Fier: Më qëndro larg mua
Algert Belulaj: Do të qëndroj, po hajde ma sqaro pak muhabetin
Drejtori i Doganës Fier: Unë do vij do marr ** te shtëpia e saj nesër në mëngjes, guxove dole me makinë para meje po të thotë prapë Arlindi.
Algert Belulaj: Do vazhdosh më me **
Drejtori i Doganës Fier: Do vazhdoj unë nga inati yt tani.
Algert Belulaj: Më ke poshtëruar, ke shkuar me gruan time kur kam qenë i martuar. Në gusht kam ardhur unë te zyra jote dhe të kam thëne ke gjë me atë? Kam pasur më the.
Drejtori i Doganës Fier: Kam pasur, është e vërtetë.
Algert Belulaj: Janë fjalët e tua, nuk janë fjalët e mia.
Drejtori i Doganës Fier: Mos më dil më përpara se do të bëj thela-thela që kur të dalësh në mes të Fierit të dridhet mishi, që të mendosh çdo njeri si Arlindi. More vesh? Unë jam nipi i Orik Shytit, o idiot. E di kush është Orik Shyti?
Algert Belulaj: Jo!
Drejtori i Doganës Fier: Jam djali i motrës së tij, ‘Hakmarrja për Drejtësi’ dhe ata persona të zhdukin.
Algert Belulaj: Po ata e dinë me sa fytyra je ti?
Drejtori i Doganës Fier: Po ku ishe ti kur ajo flinte me mua në filan vend, ku ishe ti?
Algert Belulaj: Unë isha në dy punë, si punojnë shumë burra.
Drejtori i Doganës Fier: Jo nuk punojnë shumë burra dy punë. Burrat bëhen burra për gratë, i japin siguri, mbrojtje.
Algert Belulaj: Po mos kishe pushtet, do ta shikojë.
Drejtori i Doganës Fier: Po të kenë frikë është vlerë dhe ti je i pavlerë, kupton?!
syri